Saranda është shndërruar në qytetin ku tradicionalisht hapet sezoni turistik për të gjithë vendin. Kryetari i qeverise shqiptare do ta shfrytëzonte një moment të tillë për të garantuar sarandjotët, por dhe gjithë shqiptarët për kujdesin e veçantë të qeverisë jo vetëm në promovimin e turizmit por dhe për sa më shumë investime në këtë fushë.

Turizmin, kryetari i qeverisë e cilësoi një resurs të madh për vendin. Për këtë qëllim qeveria e djathtë ka investuar katër herë më shumë krahasuar me 8 vitet e qeverisjes socialiste. Fakt për këtë janë turistët të cilët në 2004, llogariteshin në 300 mijë për të gjithë vendin, e njëjta shifër kjo për turistët që vizituan Sarandën gjatë vitit 2008.

Sali Berisha: “Në vitin 2004 në Shqipëri kanë hyrë gjithsej në 12 muaj 300 mijë vizitorë kundrejt 2.7 milion që kanë hyrë vitin e kaluar. Këtë qershor në përfundojmë rrugën e bregut, në të cilën turistët nga Llogaraja do vinë të zbresin me lehtësi në Sarandë për të kaluar ditën, për të vizituar Butrintin dhe me shpejtësi po ecën rruga Kardhiq-Delvinë. Unë ju jap fjalën ju se shumë shpejt do fillojë boshti i jugut i cili e bie Sarandën në një distancë shumë të shkurtër me Tiranën. Saranda, Ksamili kanë të gjitha mundësitë për tu bërë një nga qendrat më të fuqishme më të mëdha të turizmit jo në Shqipëri, por në Ballkan dhe më gjerë.”

Përpara qytetarëve të shumtë të mbledhur në shëtitoren kryesore të Sarandës, kryeministri dha garanci se qeveria ka në plan zbatimin e projekteve serioze që përmirësojnë infrastrukturën e qytetit. Shifrat  flasin  për 4 herë më shumë investime  në Sarandë në katër vite ose 4.25 miliard lekë krahasuar me 1.5 miliard  lekë të investuar në 8 vite të qeverisë socialiste.

Në rrugë, qeveria e djathtë ka investuar tre herë më shumë ndërsa në ujësjellës 4 herë më shumë. Kjo është panorama në të gjithë vendin tha kryetari i qeverisë e shndërruar tashmë në një shesh ndërtimi siç dhe e konsideroi.

Reforma  në shëndetësi është gjithashtu prioritet i qeverisë Berisha për një shërbim sa më cilësor për qytetarët. Eliminimi i varfërisë është një tjetër projekt madhor i qeverisë.

Sali Berisha: “Qeveria është e përgatitur për një reformë të thellë të sistemit shëndetësor. Reformë e cila do tu garantojë ju shërbimet më të mira. Unë e kuptoj se s’ka asnjë shërbim më të rëndësishëm se shërbimi shëndetësor. Por edhe ju kërkoj mirëkuptimin tuaj se reforma nuk mund të bëjë me infermierët që mblidhnin gjithsej 150 mijë lek të vjetra. Lufta kundër varfërisë është një objektiv madhor kemi nxjerrë në 3 vjet 200 mijë shqiptarë nga varfëria, nxjerrim gjatë majit edhe 180 mijë të tjerë. Sërish, prapë ka varfëri, por e pamëshirë do të jetë lufta jonë kundër saj. Në qoftë se këto vite tejkaluam 2 apo 3 vende të BE-së absolutisht 4 vitet që vijnë do të barazohemi me vendet tjera që vetëm 10 vjet më parë ishin disa herë më të zhvilluara se ne.”

Agjenda e kryeministrit në qytetin bregdetar parashikonte dhe një vizitë në muzeun etnografik të Sarandës. …/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi