Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka shfajësuar komisionerët demokratë për bllokimin e reformës zgjedhore duke ia faturuar kryetarit të mazhorancës Fatos Nano, me qëllim që në zgjedhjet e 2005-ës të kemi të njëjtët anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Për të treguar interesin e socialistëve, kryedemokrati paraqiti një dokument të ekspertëve të OSBE-së ku balancimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pranohet nga Sokol Hazizi, përfaqësues socialist në grupin e ekspertëve, por jo për këto zgjedhje.

Sali Berisha: “Nuk ka pasur ndonjë preokupim Hazizi këtu dhe Partia Socialiste për kushtetutën. Ka firmosur balancimin, ka firmosur dhe këtu, por nuk ka firmosur te dispozita tranzitore, e cila e kërkon balancimin natyrisht për këto zgjedhje, se ne po bëjmë reformë për këto zgjedhje. Pra kjo është e vërteta mbi bllokimin që socialistët i bënë reformës zgjedhore.”

Lideri i opozitës nuk ka përjashtuar mundësinë që të jetë kandidat për kryeministër në qeverinë që parashikon të krijojë opozita, para ose pas zgjedhjeve, por nuk e konfirmon në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Sali Berisha: “Kryeministrin e opozitës e nxjerrin zgjedhësit shqiptarë dhe forumet e opozitës.”

I pyetur për deklaratat e ambasadorit Salzmann, i cili fajësoi dy kundërshtarët historikë Nano- Berisha për ngecjen e reformave, Berisha pranon të prononcohet pasi të jetë takuar me të duke plotësuar kështu rregullat e një marrëdhënieje të mirë. /tvklan.al