Një sërë inaugurimesh të rëndësishme kanë shoqëruar vizitën në Sarandë të kryeministrit Sali Berisha. Kryetari i qeverisë pasi preu shiritin e një prej investimeve në infrastrukturë, pikërisht aksin Sarandë-Kanali i Çukës 7km me vlerë 300 milion lekë, bëri dhe premtimin më të rëndësishëm për qytetin bregdetar.
Sali Berisha: “Aeroporti është zotimi tjetër, vetëm këtë vit janë të kontraktura njëherazi, 60 km të cilat do ta shndërrojnë Sarandën e bukur në një Sarandë europiane.”
Gjatë 2 ditëve qëndrim në jug të vendit kryeministri tha, se do të inspektojë dhe rrugën përgjatë bregdetit. Në 8 vitet e shkuara përpara vitit 2006 rindërtimi i kësaj rruge ecte me ritme të ngadalta tha Berisha, vetëm 2 km në vit. Kryeministri përuroi gjithashtu fillimin e punimeve për rrugën Sarandë-Qafë Botë me gjatësi 40.6 km me vlerë 29 milion euro.
Rruga është parashikuar të përfundojë në pranverën e vitit 2010. Ndërtimin e saj kryeministri Berisha e konsideroi një mundësi tjetër komunikimi me vendin fqinj, Greqinë. Gjatë vizitës në Sarandë, kryeministri Berisha u takua dhe me banorë e drejtues të pushtetit vendorë të bashkisë së Konispolit. Kryeministri tha, se brenda viti 2008 do të përfundojë 120 km rrugë në rrethin e Sarandës ndërsa investimet janë rritur në 89 miliard lekë.
Për kryeministrin potencialet turistike e bëjnë të domosdoshëm zhvillimin e infrastrukturës moderne, duke bërë të ditura prioritetet, Berisha tha, se qeveria po vazhdon të punojë, një fjali kjo e shoqëruar me një ironi për kundërshtarët politik.
Sali Berisha: “Ne merremi me projekte, me rrugë, kundërshtarët e mi njëherë injektojnë Veltronin, se magneti i tyre janë humbësit e Evropës, po. “
Gazetarja: “E keni fjalën për Metën apo për Ramën?”
Sali Berisha: “Për Ramën, po Meta ku është Meta tani?”
Kryeministri Berisha u ndal dhe në komunën Xarë që ka përfituar nga projekti i qeverisë për ndërtimin e rrugëve rurale. Berisha tha se komuna Xarë do të jetë një nga përfituesit e projekteve të qeverisë për mbështetjen e sektorit të bujqësisë, në mënyrë që fermerët të shtojnë numrin e sipërfaqeve të mbjella me agrume e të fuqizojnë prodhimin dhe tregun shqiptar./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi