Turi i inaugurimeve do të vazhdojë për aq kohë sa qeveria do të vazhdojë investimet publike. Nga fshati Luz i Kavajës ku ka prerë shiritin e fillimit të punimeve për rrugën e plazhit të Spilles, kryeministri Berisha i është përgjigjur sërish akuzave të opozitës.
Sali Berisha: “Pak ditë më parë unë dëgjoja një nga zëdhënësit e politikës së re, doli në televizor dhe tha, po ofendohen shqiptarët me inaugurime. Më duhet t’ju them, këtij megafoni të prishur se shqiptarët nuk ofendohen kurrsesi me inaugurime, se shqiptarët nderohen në qoftë se taksat e tyre, në qoftë se paratë e tyre shndërrohen në rrugë, siç po shndërrohen. Investojmë në rrugët e Shqipërisë 8 herë më shumë sesa ç’kanë investuar ata përfaqësuesit e politikës së re, në thonjëza në vitin më kulmor të investimit të tyre, në vitin 2004.”
Berisha i ka premtuar banorëve të zonës se infrastruktura rrugore, në mënyrë të veçantë infrastruktura e zonave bregdetare do të vazhdojë të shihet me prioritet nga kabineti i tij qeveritar.
Sali Berisha: “Unë dua të informojë shqiptarët, se qeveria ka vendosur të përparësojë asfaltimin e të gjitha rrugëve, që zbresin drejt detit, filluar kjo nga Velipoja në Sarandë.”
Punimet për ndërtimin e segmentit që lidh rrugën nacionale me plazhin e Spilles do të kushtojnë 25 milion lekë, të gjitha këto të ardhura të siguruara nga buxheti i shtetit. Në projekt është parashikuar që shoqëritë e inaugurimit të pritet në qershorin e vitit të ardhshëm duke i paraprirë kështu sezonit turistik, por kryeministri Berisha duke marrë sigurinë e kompanisë së ndërtimit ka garantuar, se punimet do të përfundojnë përpara afati të parashikuar./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka