Shqipëria nuk është në krizë ekonomike dhe këtë po e tregon edhe shtimi i investimeve të huaja.

Në këtë mënyrë u është kundërpërgjigjur akuzave të opozitës për krizë ekonomike, Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, gjatë prezantimit të një investimi gjerman në portin më të madh detar të vendit, atë të Durrësit.

Sokol Olldashi: “Ekonomia shqiptare vazhdon të eci mirë, vazhdon të eci mirë  dhe kjo është një shenjë e qartë. Është një shenjë e qartë afrimi të bizneseve të huaja, në rastin konkret të një biznesi gjerman në tregun shqiptar dhe vetëm gjatë javës së fundit ne kemi pasur një sërë aktivitetesh që janë të lidhura me investime e huaja direkte në Shqi0përi gjë që tregon që ekonomia dhe dinamizmi i saj në Shqipëri vazhdon të jetë në ritmet e duhura dhe të ngjallin optimizëm jo vetëm tek investitorët vendas, por veçanërisht tek ata të huaj.

Ambasadori gjerman, Boshard, e vuri theksin tek lufta kundër korrupsionit dhe siguria ligjore, si domosdoshmëri për zhvillimin e biznesit.

Bernd Bochard: “Angazhimet private dhe publike në Shqipëri kanë nevojë për një mjedis pozitiv. Në këtë kontekst, faktorë të tillë si lufta kundër korrupsionit dhe garancia e sigurisë ligjore kanë rëndësi thelbësore.”

Investimi gjerman në portin e Durrësit arrin në 1.2 milionë euro. Bëhet fjalë për disa pajisje e makineri që shërbejnë për përpunimin e kontejnerëve./tvklan.al

Gazetare: Enkelejda Arapi