Prerja e shiritave të inaugurimeve për përfundimin e punimeve apo fillimin e veprave të reja publike kanë karakterizuar takimet e kryeministrit Berisha i cili është rikthyer në qytetin e Elbasanit në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”. Nga Bradasheshi ku ka marrë pjesë në ceremoninë e përfundimit të rikonstruktimit të plotë të shkollës 9-vjeçare “Europa”, investim me vlerë 50 milion lekë, Berisha ka shigjetuar rivalin e tij politik Rama për punët e pa mbaruara si kryebashkiak.
Sali Berisha: “Zoti kryetar me korrespodencë i Bashkisë Tiranës, urdhëro zoti kryetar merr shembull këtu, ja si ndërtohen shkollat në mes të komunës, s’je i zoti të ndërtosh një shkollë në Tiranë. I kemi akorduar 2.2 miliard lekë për 12 shkolla të reja, ka ndërtuar vetëm 2 shkolla në periferi të Tiranës, mister 15% shkollat nuk mund t’i ndërtoj se këto nuk kanë 15%, këtu nuk mund të paguash gjë, ndaj dhe zotëria e djeg kredinë e marrë nga qeveria, i len fëmijët nga 40-50. Le t’i themi këtij zotërie se midis Kristoforidhit dhe Haxhi Qamilit, t’i po zgjedh Haxhi Qamilin. Ne po zgjedhim Kristoforidhin”.
Berisha ka bërë përpara banorëve të Bradasheshit një përmbledhje të gjithë nismave të qeverisë për të ndryshuar situatën në arsimin shqiptarë, duke filluar nga rritja e pagave për arsimtarët e deri tek shtrirja e internetit në çdo shkollë 9-vjeçare e të mesme dhe liberalizimin e pranimeve në auditorët e universiteteve.
Duke u ndalur në komunën Hajdaraj ku ka përfunduar projekti i kanalizimeve të këtij fshati, një investimi i Ministrisë së Punëve Publike që kap vlerën 240 milion lekë si dhe në komunën Labinot Fushë ku kanë përfunduar punimet për ndërtimin e argjinaturës së Lumit Shkumbin, investim me vlerë 30 milion lekë, Berisha i ka premtuar të zgjedhurve lokal se qeveria e tij do të financojë çdo projekt të tyre për të ndryshuar jetën e komunitetit dhe kjo pavarësisht ngjyrave politike që kanë partitë që i kanë përzgjedhur.
Sali Berisha: “Qeveria do të të mbështesë në të gjitha projektet që t’i ke. Për shkolla informohem këtu se rruga e Godoleshit do të fillojë asfaltimin por edhe rrugët e tjera. Ne jemi të vendosur të ndërtojmë infrastrukturën në të gjithë qarkun e Elbasanit në çdo qark të vendit”.
Ndërsa në takimet e fundit në qytetin e Elbasanit, takim i zhvilluar me pedagogët e universitetit “Aleksandër Xhuvani”, pas inaugurimit të godinës së re të këtij universiteti, Berisha ka theksuar rëndësinë që ka arsimi i lartë. Prioriteti i qeverisë që është reflektuar dhe në fondet e parashikuara në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Sali Berisha: “Buxheti i këtij viti në përputhje të plotë me parashikimet e ligjit për autonominë e universiteteve do të akordojë ju grandet sipas një formule që një kompanie e huaj në bashkëpunim me autoritet vendase e ka përcaktuar dhe ky përbën një hap real madhorë drejt autonomisë suaj”./tvklan.al
Gazetari: Fatos Salliu