Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në ceremoninë inauguruese të Qendrës së Informacionit të Bashkimit Evropian.
Gjatë fjalës së tij numri një i ekzekutivit tha se Shqipëria si një vend ku 96% e popullsisë kërkon hyrjen në BE do të përmbushë të gjitha direktivat dhe standardet për integrim sa më të shpejt.
Sali Berisha: “Më 16 Nëntor Këshilli i Ministrave të BE mori vendimin më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, në historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Evropian vendimin për të pranuar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Unë do t’ju garantoj ju se ne e marrim këtë si përgjegjësinë më të madhe ndaj qytetarëve tanë, por dhe ndaj Bashkimit Evropian si detyrimin më madhor për të proceduar me një univers të tërë reformash, në mënyrë që standardet, praktikat akit, komunitare, demokracia, rregullat e saj, ekonomia e tregut, rregullat e saj të bëhen gjithnjë e më të prekshme për qytetarët shqiptarë dhe më konkrete, kështu që ne nuk do të lejmë përpjekje pa bërë që ky proces të jetë tërësisht një proces i bazuar në meritë. Ne jemi shumë mirënjohës për mbështetjen që kemi gjetur nga ju për problemin e liberalizimit të vizave dhe u garantoj unë ju se ne me seriozitetin më të madh do të përmbushim çdo detyrim që vjen nga ky proces”.
I pranishëm ishte edhe drejtori për Ballkanin Perëndimor në komisionin evropian, Pierre Mirel, i cili nënvizoi rëndësinë e këtij hapi progresi për Shqipërinë duke bërë të mundur dhe liberalizimin e vizave.
Pierre Mirel: “Nga 16 Nëntori Shqipëria ka hyrë në një fazë tjetër në marrëdhënie me Bashkimin Evropian. Shqipëria nuk është më një vend në marrëdhënie dypalëshe me Bashkimin Evropian, por tashmë ajo hyn në një proces ku qëllimi i fundit është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Deri tani është arritur një progres i mirë dhe nëse vazhdohet kështu dhe ne do të jemi në pozicion për të rekomanduar liberalizimin e vizave brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2010”.
Qendra e Informacionit te Bashkimit Evropian do te shërbeje si zyre informimi dhe aktivitetesh falas për te gjithë qytetaret, te cilët do te mund te mësojnë me shume drejt bllokut 27 vendesh./tvklan.al