Sali Berisha tashmë është marrë zyrtarisht i pandehur për dosjen hetimore për privatizimin e klubit Partizani. Prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai i ngritën akuzën korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim. Nëse ai shpallet fajtor rrezikon nga 4 deri në 12 vite burg. Kryetari i partisë demokrate akuzoi SPAK se është nën urdhrat e Edi Ramës.
Sali Berisha, kreu i PD: Asgjë nuk ndryshon është vazhdimi i një hakmarrje politike, zbatimi i një urdhri mafioz politik dhe për mua kjo s’ndryshon asgjë. Ajo që është themelore se nuk ekziston asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument që të dëshmojë se në të gjithë këtë proces ka ndodhur shkelja më e vogël e ligjit. Është zbatuar ligji dhe vetëm ligji, nuk ka asnjë firmë të Sali Berishës në kthimin dhe kompensimin. Asgjë tjetër përveç 500 faqe mashtrime.
Sali Berisha në zbatim të kërkesës, u paraqit në Prokurorinë e Posaçme rreth orës 12:05 minuta. Për rreth 20 minuta ai mbajti një deklaratë dhe iu përgjigj interesimit të gazetarëve.
Sali Berisha, kreu i PD: Sot unë po shkoj të marr akuzën politike dhe të njihem me materialet që kanë manipuluar ose fshehur në kundërshtim me ligjin për të justifikuar aktin e tyre kriminal, akuzën pa asnjë provë fakt apo dokument, por vetëm të diktuar nga Edi Rama.
U fut në SPAK nën shoqërinë e avokatit të tij Genc Gjokutaj ku qëndroi për rreth 20 minuta. Ashtu si në hyrje dhe në dalje nga Prokuroria akuzoi qeverinë Rama, duke e cilësuar politike akuzën e ngritur. Berisha deklaroi se është vënë padrejtësisht nën masën “arrest në shtëpi”.
Sali Berisha, kreu i PD: Kjo është shpella e krimit të organizuar në Shqipëri, organizata më e rrezikshme kriminale në Shqipëri dhe në Europë. Një njeri i arrestuar i arrestuar është një njeri me liri të primuar dhe të qenurit i burgosur politik është turpi i sistemit është dëshmia më e shëmtuar e këtij narkoshteti. Unë jam në betejë, jeta ime ka qenë dhe do të mbetet në betejë.
Ndryshe nga atmosfera para banesës, në SPAK e prisnin dhjetëra mbështetës dhe deputetë demokratë.
Mjeti i zotit Berisha shoqërohej nga një patrullë policie. Para së të hynte në banesë në zbatim të vendimit të gjykatës arrest në shtëpi, Berisha paralajmëroi protesta.
Sali Berisha, kreu i PD: Me një revoltë të përgjithshme. Me një lëvizje të përgjithshme e cila synon t’u rikthejë shqiptarëve votën e lirë.
Është hera e dytë që Berisha lë banesën që prej datës 31 Dhjetor 2023, kur mori vendimin arrest në shtëpi.
Klan News