Në 80-vjetorin e lindjes, kryedemokrati Sali Berisha ka zgjedhur që të bashkëbisedojë me ndjekësit në rrjetet sociale. Gjatë fjalës së tij hapëse, ish-kryeministri ka thënë se shqiptarët kanë qenë dhe mbeten motivimi më i fuqishëm i tij në këto 8 dekada të jetës.
Sali Berisha: Përshëndetjet më të përzemërta të gjithëve ju që na ndiqni në këtë komunikim në rrjetet sociale me miqtë e mi. Unë zgjodha si momentin më kryesor të ditëlindjes sime, 80-vjetorit, komunikimin me miqtë e mi në rrjetet sociale. Udhëtimi në 8 dekada dhe ngjitja në majën më të bukur të jetës sime, ngjall më shumë se çdo gjë tjetër mirënjohjen e pakufishme ndaj qindra mijëra, por edhe miliona shqiptarëve, që gjatë gjithë këtyre viteve, me mbështetjen e tyre, kanë qenë frymëzim i pashtershëm për mua. Vitet natyrshëm kanë peshën e tyre, por asgjë nuk i bën ato më të parëndësishme, më të lehta se sa motivimi i njeriut, frymëzimi i tij. Në këtë kuadër, unë dua t’u siguroj se mbështetja juaj ka qenë frymëzimi më i madh për mua. Ka qenë motivimi më i fuqishëm dhe në disa aspekte vetë ky udhëtim në 8 dekada, ka pasur momente kur ju me besimin dhe mbështetjen që më keni dhënë, keni rrezikuar, keni treguar veten guximtarë, keni treguar veten njerëz të parimeve dhe idealeve të vërteta njerëzore.
Më tej, Berisha ka falenderuar të gjithë mbështetësit e tij, për të cilët thotë se kanë besuar tek ai edhe në kohët më të vështira. Kryedemokrati shton se nuk ka ëndërruar ndonjëherë që kjo majë të ishte kaq e bukur për të, pavarësisht nga vështirësitë dhe ndërlikimet.
Sali Berisha: Keni besuar tek unë edhe në kohërat më të vështira. Keni mbështetur Sali Berishën edhe kur ajo kishte një çmim. U ndala për të thënë këto vetëm e vetëm për të theksuar se sa mirënjohës, se sa borxhli, sa i motivuar dhe i frymëzuar ndjehet Sali Berisha sot në këtë majë të 8 dekadave udhëtim. E bukur shumë, ua them ju. Nuk kisha ëndërruar ndonjëherë se kjo majë do të ishte aq e bukur për Sali Berishën, pavarësisht nga vështirësitë, ndërlikimet, por ne bëmë një betejë atëherë kur nuk e prisnin. Një mik i imi francez në një libër lavdëron trimërinë e orës 2 të mëngjesit. E pyeta mikun tim, pse e ke veçuar trimërinë e orës 2 të mëngjesit. Sepse ora 2 e mëngjesit është ora e befasisë më të madhe dhe që ai arrin të reagojë në ora 2 të mëngjesit, ai përballon çdo befasi. Të tillë ishit ju.
/tvklan.al