Berisha: Integrimin po e luftojnë vetëm grupet mafioze

Kryeministri Berisha ka konfirmuar edhe një herë se vizat do të liberalizohen brenda 6 mujorit të parë vitit 2010 për të gjithë shqiptarët. Këtë deklaratë kreu i qeverisë e ka bërë në Lin të Pogradecit, ku inauguroi rrugën e re të fshatit. Ai tha, se të vetmit që nuk janë të interesuar për lëvizjen e lirë të shqiptarëve dhe integrimin e vendit dhe Bashkimin Evropian, janë grupet mafioze.

Sali Berisha: “Ata që bënë thirrje, se nuk na duhen ndërkombëtarë, mos mendoni se kanë interesat tuaja. Jo të dashur qytetarë dhe qytetare, ata kanë vetëm një interes, interesin e mafies, mafies nuk i intereson Evropa. Mafia ka tmerr nga liberalizimi i vizave. Mafia ka tmerr nga integrimi ne BE. Po pse? Sepse ndjekja ndaj saj, lufta ndaj saj, fuqizohet çdo ditë e më shumë”.

Pas inaugurimit të rikonstruksionit të rrugës së Linit, e cila ka një gjatësi prej 1.8 km, 8m gjerësi dhe  që arrin një vlerë prej 36 milion lekësh, kryeministri ka premtuar premtime të tjera në këtë zonë turistike.

Sali Berisha: “Këtë vit, Pogradeci, Lini ka zgjuar interesa të grupeve të mëdha turistike. Ka zgjuar interes të investitorëve të mëdhenj. Unë ju garantoj ju se këtë vit dhe në vazhdim, investitor nga mbarë bota do të investojnë qindra dhe miliarda euro, nga fshati juaj deri në Tushemisht, në një nga zonat më të bukura turistike të Evropës”.

Më herët kreu i qeverisë ka vizituar Myftininë e Pogradecit, me rastin e ditës së Kurban Bajramit, nga ku ka bërë dhe urimet për gjithë besimtarët myslimanë.

Sali Berisha: “Urimet më të përzemërta besimtarëve myslimanë, të Pogradecit dhe mbarë Shqipërisë, por dhe te gjithë besimtarëve shqiptarë. Ju uroj gëzuar këtë ditë, ditën e nderimit, të përkushtimit sublim, të sakrificës më sublime. Për besimin tek Zoti, tek familja, tek shoqëria. Le të urojmë të gjithë së bashku, që Kurban Bajrami i ardhshëm, të na gjejë me ëndrra të tjera të realizuara, edhe një herë gëzuar!”/tvklan.al

Gazetare: Daniela Zisi