Gjatë vizitës së tij në qarkun e Dibrës kryeministri Berisha është ndalur për të marr pjesë në fillimin e punimeve të segmentit Ura e Çerenecit-Peshkopi, loti 2, rrugë e cila fillon në Maqellarë dhe lidhet me rrugën e Arbrit, përmes segmentit Ura e Çerenecit-Bllatë.
Duke e cilësuar fillimin e punimeve në këtë aks si një premtim të mbajtur të qeverisë Berisha 1, kreu i ekzekutivit e ka vlerësuar si të një rëndësie të veçantë për zhvillimin e zonës lidhjen e këtij segmenti me rrugën e Arbrit.
Sali Berisha: “Kjo rrugë shumëfishon marrëdhëniet tregtare dhe marrëdhëniet e gjithanshme me Maqedoninë mike. Bën që portet e Shqipërisë të bëhen gjithnjë më të përzgjedhur dhe më të përshtatshme, për Maqedoninë dhe Bullgarinë perëndimore. Rruga e Arbrit do të jetë rruga e fluksit të madh turistik. Një rrugë tjetër është në ndërtim e sipër dhe kjo është rruga që lidh Peshkopinë me Kukësin. Në të vërtetë kjo rrugë lidh Peshkopinë me tregun e Kosovës, hap një perspektivë të madhe zhvillimi për qarkun e Peshkopisë. Peshkopia me përfundimin e kësaj rruge dhe të rrugës së Arbrit, do të ketë lidhjet më moderne me Tiranën, me Prishtinën, me Shkupin”.
Si një tjetër premtim elektoral të mbajtur të kësaj maxhorance, Berisha ka vlerësuar hapjen e universitetit të Peshkopisë, i cili pritet të hap auditorët e tij për studentët e kësaj zone veriore këtë vite të ri akademik.
Sali Berisha: “Shpreh kënaqësinë e madhe se këtë vit do të fillojë në Peshkopi universiteti i Peshkopisë. Edhe ky është një premtim tjetër elektoral. Por ju në fakt meritoni të gjitha premtimet dhe meritoni realizimin e tyre, dhe unë ju jap fjalën ju se për çdo premtim që kam dhënë para jush, do ta bëj realitet”.
Në përfundim të fjalës së tij Berisha ka falënderuar elektoratin dibran për mbështetjen që i dhënë PD-së në zgjedhjet e 28 Qershorit. Mbështetje që sipas Berishës do t’i shpërblehet këtij elektorati në mandatin e dytë qeverisës.
Sali Berisha: “Unë kam bindje se Peshkopia e 4 viteve që vijnë do të jetë një Peshkopi krejtësisht tjetër. Së bashku në çdo fshat të këtij rrethi do të luftojmë varfërinë. Duhet ta dinë fermerët e Peshkopisë se as kërkund nuk do të ndjehen të braktisur, se ne kudo do të ndërtojmë infrastrukturë moderne. Së shpejti do të nis ndërtimi i rrugës që bashkon Peshkopinë me Librazhdin. Në këtë mënyrë ne urbanizojmë këtë rreth të mrekullueshëm, në këtë mënyrë ne bëjmë që ju të kapni tregun, që ju të rrisni prodhimet”./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka