Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa ishte i ftuar i radhës në podkastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama. Gjatë bashkëbisedimit me ekspertin, kritik të tij, kreu i qeverisë bëri një analizë dhe për mënyrën se si funksionojnë institucionet e pavarura në vendin tonë.

“Institucionet e pavarura janë gjithmonë e më shumë problem. Sa më shumë i japim pavarësi institucioneve, aq më shumë bie në sy paaftësia institucionale për të kontrolluar, jo kontroll politik, por të performancës në sistemin shtetëror. Rasti klasik është se si gjykatësit i rritën rrogat vetes. Rasti më spektakolar i impotencës të gjithë pjesës tjetër për të thënë jo. Ata bënë një ankim në Gjykatën Kushtetuese, sepse sipas tyre llogaria e pagave dilte që duhej të rritej në një masë X dhe Gjykata Kushtetuese bëri një ekstra llogari dhe nxori që duhej të rritej edhe më shumë se sa ata kishin kërkuar dhe ishte pjesë e një debati mes nesh dhe tyre për një koniunkturë të caktuar. Pra, duhej bërë një rritje bazuar në ligj, por rritja që u morr me vonesë dhe interesa dhe çudira”.

Edhe pse thotë se Shqipëria ka bërë hapa para në shumë sektorë që lidhen me ekonominë, kryeministri Edi Rama jep dhe një përgjigje edhe për qytetarët që pyesin pse vendi ynë ende nuk mund të jetë i barabartë me vendet e BE.

E keqja harrohet, por e mira nuk mbaron. Por kur kthejmë kokën dhe të qëllon ndonjëherë shikon ca imazhe thua “Ne kemi jetuar këtu?” Ndërkohë që gjëja që ne kemi fat është BE, sepse na jep mundësinë që të përshpejtojmë ndryshimin kulturor se bëj sa të duash ligje, organigrama, sjellja e administratës dhe shtetit është diçka formohet në kohë të gjatë. Ne shohim vendet e tjera, por harrojmë që Gjermania dhe Franca janë me administrate shumëshekullore, ja ku është Greqia që është afër nesh”.

Duke folur për rëndësinë e biznesit në vend dhe ndikimit që ka në ekonominë e vendit, eksperti Selami Xhepa thotë se së fundmi ka një ndërgjegjësim të biznesit në raport me punëmarrësin. Sipas kryeministrit Rama, nuk është çështja vetëm te rritja e pagave, por duhet bërë një punë e madhe për krijimin e kushteve për trajnim dhe edukim të çdo burimi.

Klan News