Vendi do të furnizohet 24 orë me energji elektrike, nëse rajoni nuk do të ketë sërish krizë të burimeve energjetike. Kështu ka deklaruar kryeministri Sali Berisha, gjatë përurimit të nënstacionit të ri elektrik të Elbasanit. Kjo ka qenë dhe ndalesa e parë e tij në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”.

Sali Berisha: “Me këtë investim ne stabilizojmë parametrat e furnizimit me energji të Elbasanit. I paraprijmë parkut industrial të Elbasanit i cili duhet të ngrihet me shpejtësi të madhe. Ky vit ka qenë vit me drita 24 orë. Rezervat janë të mira, por mund të ishin dhe më të mira. Drita 24 orë do ketë në çdo rast që ne në tregun rajonal të gjejmë energji për të blerë.”

Më tej kryeministri i shoqëruar edhe nga kryeparlamentarja Topalli ka vizituar fabrikën e letrës në kompleksin metalurgjik të Elbasanit dhe uzinën e përpunimit të ferrokromit në kompaninë “Darfo”. Kreu i ekzekutivit u tregua i prerë lidhur me respektimin e standardeve mjedisore dhe heqjen e Elbasanit nga lista e qyteteve më të ndotura në vend.

Sali Berisha: “Kërkesa ime e vetme, por e prerë është respektimi i standardeve të mjedisit dhe në veçanti në këtë qytet, i cili ka vuajtur pasojat më të rëndë të ndotjes së mjedisit se çdo qytet tjetër në Evropë.

Gjatë vizitës së tij në Elbasan kryeministri ka prerë shiritin e tre investimeve të rëndësishme për infrastrukturën e zonës, atë të rrugës në fshatin Balëz me vlerë 50 milionë lekë, dhe rrugëve në lagjet Skënderbej dhe 28 Nëntori. Një takim i veçantë për kryeministrin është rezervuar në universitetin Aleksandër Xhuvani./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi