Kryetari i PD, Sali Berisha ka zbuluar kërkesat e opozitës në protestën e 7 Tetorit në Tiranë. Duke u bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje, Berisha tha se protestat do të përfundojnë vetëm pas ngritjes së qeverisë teknike dhe kur qeveria të respektojë Kushtetutën.
Kryetari i PD, Sali Berisha: Beteja jonë nuk ndalet gjer në krijimin e qeverisë teknike. Pra, qëllimet tona janë qëllimet më demokratike në kuptimin që kërkojmë të hapim rrugën për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, të cilin Edi Rama e ka shndërruar në një farsë të vërtetë. Kërkojmë që Shqipëria të mos jetë më një narkoshtet, por një shtet ligjor, në të cilin ligjet, Kushtetuta dhe të drejtat e opozitës respektohen.
Edhe pse protesta është parashikuar të fillojë nga Kryeministria dhe më pas qytetarët do të bllokojnë rrugët kryesore të kryeqytetit, Berisha thotë se skenari i vërtetë i saj do të zbulohet vetëm më 7 Tetor.
Kryetari i PD, Sali Berisha: Skenarin e saktë të kësaj proteste do ta merrni vesht në ditën e hënë ora 18:00.
Një paralajmërim pati për punonjësit e Policisë.
Kryetari i PD, Sali Berisha: Mjerë ai që provokon qytetarët dhe zemërimin e tyre. Ky është mesazhi im për çdo provokator, narkokomisar, narkopolic apo narkozyrtar.
Berisha thotë se dëshira e tij është që të bashkohet me protestuesit ditën e hënë, por nuk mund të jetë i pranishëm për shkak se ndodhet në arrest shtëpie.
Kryetari i PD, Sali Berisha: Shpirti im, zemra ime, mendja ime është me çdo protestues në Tiranë dhe kudo në Shqipëri.
Duke u rezervuar për të dhënë një përgjigje të qartë nëse PD do të protestojë edhe para SPAK, Berisha e cilësoi organin e drejtësisë si organizatë kriminale në shërbim të qeverisë “Rama”.
Klan News