Nga foltorja në Lushnjë, ish-Kryeministri Sali Berisha tha se vetëm gjatë javës së fundit, Edi Rama mund të ketë shpenzuar deri në 500 mijë Euro në udhëtime.

“Nëse vetëm javën e fundit me aeroplan në dispozicion, 8 ditët e fundit kryeministri i vendit mund të ketë shpenzuar parking dhe fluturim dhe ndoshta dhe 4-500 mijë Euro, qeveritarët austriakë të një vendi me të ardhura gati 8 herë më të larta me rrogë mesatare sa Shqipëria udhëtojnë në avionë në klase ekonomike me linjat e zakonshme. Ajo që thatë ju për shpenzimet”, tha Berisha.

Berisha tha se abuzimi i të tilla niveleve vjen si pasojë e shkëputjes së madhe të ndjeshmërisë ndaj problematikave të qytetarëve. Fajtor për këtë shkëputje, Berisha bën edhe Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën, të cilin e quan kryetar pa parti.

“Natyrisht ky stil i abuzivitetit të shkallës ekstreme pasqyrohet në shkëputje të madhe të ndjeshmërisë ndaj problematikës së qytetarëve. Duhet të pranojmë se shkëputje jo të vogël ka patur PD. Ajo u largua nga vlerat e saj, u spostua majtas. Për këtë parti rrënjët e saj, që janë në ndjekjen, persekutimin, martirizimin e qindra mijëra shqiptarëve, këto 8 vite pothuajse u thanë. Rrënjët e saj që janë tek pronarët, pothuajse nuk ekzistojnë. Kjo parti injoroi në mënyrën më absurde rolin vendimtar të grave në shoqërinë tonë. Mundin e tyre të madh, diskriminimin e tyre të madh që u bëhet sot.  Përsëri kryetari pa parti nuk ka shqipëruar një fjalë të vetme në një kohë kur është sulmuar familja shqiptare me ligje këto 3 javë si kurrë ndonjëherë që nga koha e diktaturës. Ligjet antifamilje e numerotimit të prindërve, ligjet që prekin birësimin që ndryshojnë rregullat e birësimit pa pyetur fëmijët, por duke pyetur një ideologji perverse siç është ideologjia ateiste. Ideologjia e komunizmit është ateizmi dhe mbi bazën e kësaj ideologjie pa pyetur për qëndrimin tradicional shqiptar të familjes, pa pyetur edhe qëndrimin e besimeve fetare, bëjnë ligje për të hapur mundësi trafikimit të fëmijëve duke lejuar adoptime jo në çifte, por në individë të vetëm”, tha Berisha./tvklan.al