Edhe pse mosbesues ndaj pavarësisë së punës se Komisionit Qendror tw Zgjedhjeve, Sali Berisha kërkon nga ky institucion të shtojë numrin e operatorëve që shqyrtojnë aplikimet e shqiptarëve të diasporës që po regjistrohen për të votuar në 11 Maj.
“Shtim i operatorëve që trajton kërkesat e emigrantëve. KQZ ka thënë do i shtojë, por komandohet nga PS”, shprehet Berisha.
Negociatat mes dy partive të mëdha vijojnë për të bërë ndryshimet e nevojshme në kodin zgjedhor që vota e emigrantëve të numërohet dhe mos të rrezikohet nga disa afate të përcaktuara në ligjin elektoral. Por ndërkohë demokratët kërkojnë që dokumentat biometrik të shteteve ku jetojnë shqiptarët që do të regjistrohen të cilësohen të vlefshëm për të votuar.
“Dokumentat biometrike europiane s’mund të vihen në dyshim nga autoritetet shqiptare. Disa afate i dikton posta ndërkombëtare”, tha Berisha.
Berisha komenton dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi një ditë më parë kërkesën e tij për pavlefshmërinë e masës së sigurisë ‘arrest në shtëpi’
“Gjykata shpik një çështje pa e kërkuar. Është e kotë, është në një kaos, reparti i PS”, thekson Berisha.
Pavarësisht zërave brenda PD që kundërshtojnë përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë përmes primareve Berisha lajmëron se shumë shpejt do të nis gara për këtë proces.
“Ka një statut PD që është mbi mua. Ai statut miratuar me unanimitet. Nuk jam unë statuti, unë jam njeriu që zbatoj statutin. Mendimet e ndryshme janë të pranueshme, por statuti do të zbatohet”, tha Berisha.
Pasditen e së shtunës, Berisha zhvilloi një takim në Fier me rastin e 34-vjetorit të PD-së. Kryedemokrati në fjalën e tij bëri thirrje për bashkimin e të gjithë demokratëve që nga viti 91 për të kontribuar në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 11 Majit.
Tv Klan