Takimi në Estoni i kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha me homologun Andrus Ansip, risolli dhe njëherë në vëmendje ftesën për anëtarësim të vendit tonë në NATO. Proces ky për të cilin Estonia ka ndikuar pozitivisht dhe që kryetari i qeverisë shqiptare nuk harrojë ta përmend gjatë takimit dypalësh së bashku me falënderimin për ratifikimin e shpejtë nga Estonia të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Zhvillimi i teknologjisë së informacionit ekonomia, kultura, mbrojtja, arsimi janë disa nga fushat me interes të përbashkët. Kryeministri Berisha tha, se qeveria është e vendosur të zbatojë modelin e suksesshëm të Estonisë në fushën e teknologjisë së informacionit për ta sjellë vendin në atë që njihet si “mosha digjitale”. Një përpjekje kjo që do të ketë mbështetjen e Estonisë falë garancisë që dha në këtë drejtim kryeministri Ansip duke i shkuar më tej këtij arsyetimi.
Kreu i qeverisë estoneze vlerësoi reformat e qeverisë shqiptare, kontributin personal të kryeministrit Berisha në forcimin e tyre.
Ansip tha, se sheh tek Shqipëria një partner të besueshëm ekonomik dhe një vend tërheqës për investitorët estonez. Kryeministri Berisha tha, se po punohet në vazhdimësi për liberalizimin e mëtejshëm të tregut në mënyrë që të liberalizohen të gjitha shërbimet që ofron qeveria, në veçanti konsolidimi i dhënies së licencave dhe lejeve nëpërmjet sistemit One Stop Shop.
Dy homologët vlerësuan nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit, gjë e cila duket do të finalizohet dhe me hapjen e ambasadës shqiptare në Estoni si dhe me një vizitë në Shqipëri të kryeministrit Ansip./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi