Çmimi i naftës në bursa ndërkombëtare vijon të regjistrojë nivelet më të ulëta në këto 2 vitet e fundit teksa po kuotohet 55$ për fuçi ndërkaq në tregun vendas reflektimi i këtyre ndryshimeve thelbësore në tregun e arit të zi është tepër i zbehtë.
Në disa nga pikat e pakicës në kryeqytet, çmimi i naftës i cilësisë D2 është ulur ditën e fundit me vetëm 2 lekë për litër, grupime të biznesit vendas mendojnë se çmimi i naftës duhet ët nuhatet në nivele të 120 lekëve për litër, por për Shoqatën e Hidrokarbureve çmimi në treg nuk është abuziv.
Viktor Nushi: “Në përcaktimin e çmimeve kanë përcaktuar rregullat e ekonomisë së tregut dhe nuk kanë pasur tendencën e abuzivitetit, ose të përvetësimit, siç shkruhet nganjëherë, edhe sot edhe dje po të hysh të bësh llogarinë faktike si përcaktohet struktura e çmimit, kupton që këtu çmimet kanë qenë brenda rregullave të ekonomisë tregut dhe pa abuzime.”
Disa ditë më parë edhe ministri i ekonomisë Genc Ruli ka pohuar se çmimi i naftës në vend është rreh 20% më i lartë krahasuar me venet e rajonit, kjo për shkak të kostove shtesë nga mungesa e infrastrukturës dhe rezervave të mjaftueshme./tvklan.al
Gazetar: Fjoraldi Zguro