Shqipëria dhe Italia i hapin rrugën investimeve të mëtejshme në prodhimin dhe transmetimin e energjisë elektrike. Në Tiranë te dy ministrat e ekonomisë, ai shqiptar Genc Ruli dhe homologu Italian Claudio Scajola nënshkruan 3 marrëveshje për integrimin e sistemit të gazit dhe atij energjetik, me vlerë 60 milionë euro. Ministri Ruli, në konferencën e organizuar në Tiranë me investitorët italianë, tha se rrjeti shqiptar bëhet kështu pjesë e sistemit rajonal të energjisë.
Genc Ruli: “Ku kryesorja është linja e tensionit të lartë 400kë ndërmjet Elbasanit dhe Tiranës, nënstacioni 400-220-110kë ose Tirana 2, që e quajmë si dhe ajo që është më e rëndësishmja qendra e re Dispeçer e sistemit tonë energjetik kanë padyshim një rëndësi strategjike. Si për fuqizimin dhe mirëfunksionimin e sistemit tonë energjetik, por më tepër për integrimin e tij me sistemet energjetike fqinj.”
Ministri Scajola tha, se pas 40 viteve te ardhshme nevojat e planetit për energji do të rriten me 2,5 herë, prandaj duhet prodhuar më shumë energji por pa dëmtuar mjedisin.
Claudio Scajola: “E konsiderojmë Shqipërinë si një partner strategjik në Ballkan në planin energjetik, për krijimin e interkonjeksionit me Italinë me synim Bashkimin Evropian. Marrëveshja e nënshkruar parashikon ngritjen e një grupi koordinues mes dy ministrive tona në funksion të zhvillimit te impianteve energjetike në kohë shumë të shkurtër.”
Ministri Scajola gjatë një takimi me ministrin e transporteve Sokol Olldashi, garantoi mbështetjen e Italisë për korridorin 8, si edhe bashkëpunimin mes postave të të dy vendeve për t’ju mundësuar studentëve shqiptare në Itali transferua parash drejt atdheut me koston e vetëm një sms-je./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro