Për qeverinë shqiptare energjia është prioritet i saj dhe për këtë ka mbështetjen e plotë të kompanive më serioze në botë. Ministri i Ekonomisë Genc Ruli zhvilloi disa takime në Vjenë të Austrisë, mes tyre atë me Christian Kern, anëtarin e bordit të menaxhimit të kompanisë austriake Verbund.
Kjo kompani austriak lider në fushën e energjetikës, ka fituar garën për ndërtimin dhe marrjen me koncesion të hidrocentralit të Ashtës, i cili pritet të furnizojë me energji mbi rreth 100 mijë familje dhe do të ketë një vlerë më shumë se 160 milion euro, ministri Ruli e konsideroi këtë investim të një rëndësie të veçantë.”
Genc Ruli: “Projekti i kompanisë Verbund, pra projekti i hidrocentralit të Ashtës është pionieri, është projekti më i parë i ndërmarrë nga një investitor i huaj në Shqipëri në fushën e ndërtimit të hidrocentraleve.”
Për ministrin Genc Ruli, hapat me të cilën po ecën ky projekt janë impresionuese, ato kanë kaluar deri tani edhe parashikimet.
Genc Ruli: “Puna e bërë në këto 5 muaj më jep bindjen e plotë të konfirmoj që kompania Verbund ka arritur të realizojë shumë më tepër se ç’ne parashikonim të realizohej brenda këtyre 5 muajve, madje dhe ç’parashikohet në kontratë aq sa ka vlerën e madhe që është projekti që dëshmoi vullnetin e qeverisë shqiptare dhe investitorëve të huaj.”
Anëtari i bordit të menaxhimit të kompanisë së huaj Christian Kern vlerësoi seriozitetin e qeverisë shqiptare në këtë projekt dhe klimën e favorshme që mbizotëron në Shqipëri sa i takon investimeve të huaja. Kern është i sigurt se hidrocentrali i Ashtës do të përfundojë në 2012.
Christian Kern: “E vlerësoj Shqipërinë si një partner serioz dhe gjatë këtyre investimeve të mëdha nuk mund të rrezikohet. Në Shqipëri ka një ekonomi të konsoliduar dhe zhvillim të madh të saj.”
Projekti koncesionar i miratuar nga qeveria shqiptare është në dorë të gjigandit austriak të energjisë Verbund, i cili mbulon 40% të nevojave energjetike të Austrisë. Kjo kompani renditet si e pesta më e madhe në Evropë për prodhimin e energjisë hidrike. Në përfundim të 35 viteve, periudhë koncesioni hidrocentrali i Ashtës do të dorëzohet sërish republikës shqiptare./tvklan.al
Gazetar: Drini Zeqo