Lajmi për kthimin e mandarinave nga vendet e Bashkimit Europian ka ndikuar shumë negativisht në shitjen e këtij produkti në tregun vendas. Prodhuesit e zonës së Lushnjes ankohen se çmimi i grumbullimit është përgjysmuar edhe pse ata garantojnë se nuk kanë përdorur pesticide

Pas kthimit të mandarinave të eksportit nga vendet e Bashkimit Evropian, në tregun vendas ka rënë shitja e tyre.

Prodhuesit e agrumeve në Lushnje pohojnë se çmimi u është përgjysmuar nga 60 Lekë për kg në 30 Lekë, dhe shitjet janë të pakta.

Një prodhues i agrumeve në Karbunare tregon se ka ndaluar edhe vjeljen e tyre dhe i trembet prishjes nëse fillojnë ngricat.

Prodhuesit e tregut vendas garantojnë se cilësia e mandarinave që ata po shesin është e mirë dhe se nuk përdorin pesticide të ndaluara, por vetëm pleh bagëtish.

Disa ditë më parë sistemi evropian i sigurisë ushqimore raportoi 3 raste të mandarinave me norma të larta të pesticideve që vinin nga Shqipëria. Kjo sasi u bllokua dhe u asgjësua në një pikë grumbullimi në Divjakë nga AKU.

Gjithashtu kanë nisur kontrollet tek plantacionet e fermerëve që kishin prodhuar mandarinat që u bllokuan dhe do të bëhen analiza të detajuara rreth preparateve që ata kanë përdorur.

Klan News