Shqipëria konsiderohet si vendi ideal për pushime të paharrueshme. Kështu shkruan Katie-Ann Gupwell në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.
Ekspertët e udhëtimeve, sipas këtij artikulli, e kanë rekomanduar Shqipërinë si një “parajsë” të fshehur, e cila është shtëpia e ujërave më të pastra në Evropë.
“Kur sheh sa bukur duket Shqipëria, është e lehtë të kuptosh pse turistët po bien në dashuri me të, pasi duket sikur je duke ecur përgjatë një plazhi në Maldive”.
Një video në TikTok që tregon bukuritë e bregdetit të Ksamilit, është parë nga mbi 770 000 persona të cilët kanë mbetur të habitur.
Mijëra ndjekës ndanë gjithashtu mendimet e tyre poshtë kësaj videoje dhe pranuan se destinacioni i ri evropian duket mahnitës, duke shprehur njëherësh dëshirën për ta vizituar këtë verë vendin tonë.
Gazeta britanike shkruan se ky destinacion ndodhet në Evropën Juglindore në Ballkan, në detet Adriatik dhe Jon brenda Detit Mesdhe.
Në këtë artikull shkruhet se shumë njerëz e konsiderojnë Shqipërinë të sigurt për t’u vizituar, duke specifikuar faktin se marrëdhëniet mes besimeve të ndryshme janë përgjithësisht të mira dhe shprehja e pikëpamjeve ekstremiste apo antiperëndimore është shumë e rrallë.
Po ashtu vlerësohet se incidentet apo krimet që synojnë turistët janë shumë të rralla.
Klan News