Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Blerta Sokoli, motra e Erieta Avdylit është kthyer në Tiranë, duke hapur ciklin e akuzave dhe dëshmive për vrasjen e motrës së saj. Do të kërkojë nga drejtësia të mbajnë përgjegjësi për ata që nxorën email-et e mia dhe të Erietës. Kështu ka deklaruar ajo për mikrofonin e TV Klan. Asgjë s’është e vërtetë nga pistat e ngritura gjatë kësaj kohe në shtypin shqiptar. Rënia në dorë të Dritanit të letrave të Erietës ishte fakti që rrezikoj jetën e saj. Ndërsa ata që i publikuan në gazeta, do të mbajnë përgjegjësi për shkelje të së drejtës së njeriut.
Blerta Sokoli:- “Isha e njoftuar dhe në dijeni të plotë për gjithë problemet që kishte Erieta kohët e fundit, problemet familjare dhe shumë serioze me të shoqin dhe duke e ditur që kam qenë një mbështetje shumë e madhe për Erietën, erdha me dëshirë dhe me mall të madh, duke e ditur se ajo do më tregonte për problemet që kishte. Pra do të isha si një lehtësim për të. Por fatkeqësisht siç e dini unë nuk arrita ta takojë dhe ngjarja rrodhi ndryshe”.
Gazetarja:- Gjatë kohës që ju nuk keni qenë në Shqipëri, në shtyp, në media janë bërë mjaft akuza, por janë ngritur dhe mjaft probleme që kanë të bëjnë me zhdukjen e motrës tuaj. A mund të ketë një pistë tjetër për vrasjen e Erietës përveç asaj zyrtare?
Blerta Sokoli:- “Absolutisht, unë bashkohem me pistën zyrtare. Pra Erieta ishte një njeri shumë i thjeshtë, me një jetë normale, nuk duhet të komplikohet për faktin se punonte për një organizatë të UNICEF-it. Për mua zhdukja e Erietës ka të bëjë me atë marrëdhënie dhe unë nuk dua fare të shpërqendrohem ose të merrem me akuzat që janë bërë kundër nesh. Me këtë duhet të merret drejtësia dhe aty kam shpresën dhe besimin”.
Gazetarja:- Dritan Avdyli iu ka bërë akuza në shtyp, me një letër të hapur, se ju keni mbuluar disa marrëdhënie të motrës tuaj të cilat e çuan edhe në zhdukjen e saj. Çfarë dini ju për këtë?
Blerta Sokoli:- “Kjo s’ka të bëjë fare me vrasjen dhe për këtë unë dua të flasë me organet e drejtësisë. Ai kërkon të shpërqendrohet nga shkaku kryesor i zhdukjes së Erietës. Kërkon të largohet të hedh mjegull, por nuk e kupton që ndoshta e fajëson më tepër veten duke folur kështu. Nuk e di se kush i ka nxjerr email-et time me Erietën, por vetëm e di që Dritani ato i ka marrë në dorë në një periudhë shumë të rëndësishme që ne mendonim ishte për jetën e Erietës. Ky është një gabim i pafalshëm dhe kjo punë duhet të ndiqet”.
Tani gjithçka i takon drejtësisë shprehet 26-vjeçarja, por në familjen e saj Blerta ka gjetur një tjetër breng, Ertin dhe Siborën nuk ka mundur t’i takojë./tvklan.al