Bllokohet aktiviteti i operatorëve vendas të tregtimit të karburanteve për avionët në Aeroportin e Rinasit. Burimet zyrtare të inspektoriatit shtetëror të naftës konfirmojnë se aktualisht kompania e vetme që furnizon avionët me karburant në Rinas është “British Petroleum”. Përfaqësuesit e partneres shqiptare të kopmanisë angleze “Petroleum Pex” deklaruan se bllokimi i aktivitetit për kompanitë vendase nuk është zgjidhja përfundimtare.

“ Në këtë çështje, bllokimi nga inspektoriati është një çështje e përkohshme, pasi një bllokim i tillë është bërë dhe në vitin 2002, pikërisht për shkaqe të kësaj natyre dhe çështja u riçel prap në vitin 2004. Ministria, nga e cila varet ky inspektoriat, duhet t’i japë zgjidhje kësaj çështje, që do të thotë se marrëveshja duhet të funksionojë normalisht, që në dhënien e lejeve fillon mosrespektimi i kësaj marëveshje. Derisa ekziston një e drejtë ekskluziviteti në një territor të caktuar, dhe këtu nuk bëhet fjalë për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, por vetëm për Aeroportin e Rinasit, atëhere kjo ministri është e detyuruar që subjeketeve të tjera që i pajis me leje t’ua bëjë të njohur ekzistencën e kësaj marrëveshje dhe t’u kërkojë që të mos operojnë në kufijtë e kësaj marrëveshje.”

Ministria e Industrisë, në qershor të këtij viti ka licensuar operatorë të tjerë që të furnizojnë me karburant avionët në Rinas duke shkelur në këtë mënyrë ekskluzivitetin e kompanisë britanike “British Petroleum”, sanksionuar nëpërmjet një marrëveshje me qeverinë shqiptare në vitin ‘93. Ministria e Transporteve, konkretisht ALB Transport, në varësi të kësaj ministrie i ka pranuar licensimet e këtyre operatorëve vendas, madje i konsideron marrëveshjet me këto kompani më të leverdisshme. Ekspertët shprehen skeptikë edhe për kontrollin mbi cilësinë e karburanteve të operatorëve vendas, ndërkohë që marrëveshja e qeverisë shqiptare me “British Petroleum” përfundon në 2008 me të drejtë shtyrje deri në vitin 2014. /tvklan.al