Bojkoti i parlamentit nga Partia Socialiste është vetëm për shkak të interesave të lidershipit të saj dhe më shumë se gjysma e deputetëve socialist do ta thyejnë atë.

Kjo deklaratë vjen nga anëtari i Kryesisë socialiste dhe deputeti i saj, Ben Blushi, në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, përballë një paneli gazetarësh.

Sipa Blushit Rama e konsideron parlamentin si një institucion të panevojshëm, kjo është dhe arsyeja që sipas tij, Rama nuk kandidoi në zgjedhjet e 28 Qershorit.

Blushi paralajmëroi se ai do të hyjë në k8uvend brenda 4 muajsh duke thyer kështu embargon e kryetarit Rama, u shpreh ai.

Ben Blushi: “Unë nuk jam duke kërkuar një katarsis brenda PS-së po kërkoj që Partia Socialiste të hyjë në parlament. Kemi parë, çdo ditë ka deklarata të ndërkombëtarëve që kërkojnë që Partia Socialiste të hyjë në parlament. Partia Socialiste ka një problem sot, ma ka hequr mua mundësinë të bëj opozitë. Partia Socialiste është futur në ambulancë dhe bredh nga një deri në tjetrën, unë nuk hyj në këtë ambulancë. Unë një ditë do të hyj në parlament, kjo është e padiskutueshme.”

Alfred Peza: “Një ditë do hyjë dhe Partia Socialiste në parlament.”

Ben Blushi: “Nuk e di, unë shpresoj të hyj atë ditë që do të hyj Partia Socialiste. Po në qoftë se Partia Socialiste nuk hyn në pafundësi unë do hyj.”

Alfred Peza: “Kush është ai kufi, kush është kufiri?”

Ben Blushi: “Kjo është një dilemë tjetër për të qenë i sinqertë. Nuk e di kush është kufiri, por kufiri i fundmë është kufi kushtetues. Në qoftë se mandati jonë do të rrezikohet, pra do të digjet unë nuk do e lejoj këtë gjë.”

Duke e etiketuar Ramën si një politikan të llastuar, Blushi u shpreh se rruga në të cilën kryetari e ka futur Partinë Socialiste rrezikon seriozisht ardhjen e të majtës në pushtet.

Ben Blushi: “Partia Socialiste nuk është mirë, është prapë në opozitë është në ditën e vet më të keqe dhe nuk ka shpresë se kthehet në pushtet në këtë rrugë dhe nuk jam un njeriu që po e pengoj të vij në pushtet është dikush tjetër. Kjo rrugë për të cilën Edi Rama ka futur Partinë Socialiste për arsyet e veta e rrezikon  ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste.”

Deputeti socialist ka folur gjithashtu dhe për zgjedhjet për kryetarin e Partisë duke thënë se ato nuk ishin normale dhe paraqitën të njëjtën problematik se ato të 28 Qershorit.

Sipas tij ata që votuan për Ramën nuk ishin shumica e anëtarësisë socialiste. Blushi është ndalur edhe në bojkotin e zgjedhjeve të pjesshme të 15 Nëntorit apo për zërat se Rama do të bojkotojë  dhe zgjedhjet vendore të 2011.

Ben Blushi: “Në qoftë se Partia Socialiste nuk hyn në zgjedhjet lokale të vitit 2011, unë besoj që rrezikon shpërbërjen dhe ditët do të fillojnë të numërohen mbrapsht në qoftë se vendi sot nuk ka opozitë, pas 2 apo 3 vjetësh mund të mos ketë dhe Parti Socialiste.”

Blushi ka nënvizuar faktin se qëndrimi i Partisë Socialiste ndaj zgjedhjeve nuk do të mund të rrezikojë liberalizimin e vizave duke shpjeguar se aktualisht këtë parti nuk po e merr asnjë njeri seriozisht në Evropë sepse ajo po shkon drejt degradimit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka