Borussia Dortmund ka shkarkuar Nuri Shahinin nga pozicioni i trajnerit pas një fillimi zhgënjyes të vitit 2025. Vendimi është marrë pas humbjes 2-1 të së martës ndaj Bolonja në Champions League.
“Ne donim të punonim së bashku për një kohë të gjatë dhe shpresonim deri në fund se mund të arrinim një kthesë sportive së bashku,” tha drejtori i Borussia Dortmund, Lars Ricken.
Por pas katër humbjeve me radhë, vetëm një fitore në nëntë ndeshjet e fundit dhe aktualisht e dhjeta në Bundesligë, drejtuesit e klubit humbën besimin. Shkarkimi i trajnerit ishte i pashmangshëm duke shpresuar që skuadra do të rikthehet drejt objektivave.
Shahini, i cili mori drejtimin e skuadrës verën e kaluar, nuk e kundërshtoi vendimin e drejtuesve, por pranoi se ai dhe stafi i tij nuk kishin qenë në gjendje të përmbushnin ambiciet sportive të Borussia Dortmund në këtë fazë të sezonit.
Borussia Dortmund do të njoftojë se kush do të drejtojë skuadrën në ndeshjet e radhës në Bundesliga.
Tv Klan