Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Në Timorin Lindor njerëzit kërkojnë të afërmit e tyre. Ato rrijnë në radhë me ore të tëra për të plotësuar formularët e përgatitur nga misionarët e OKB-së për banorët e humbur gjatë ditëve të krizës timoreze. Ndërkaq trupat paqeruajtëse ndërkombëtare bëjnë çmos për të ndihmuar me ushqime popullsinë e Ishullit, të terrorizuar nga dhuna e milicisë filoindoneziane. OKB ka përllogaritur se për 6 muajt e ardhshëm nevojitet rreth 100 milion dollarë për medikamente dhe ushqime.

15 misione bombarduese në 24 orët e fundit të Aviacionit Ushtarak Rus në territorin Çeçen për të gjashtën ditë me radhë. Janë bombarduar kryesisht bazat e terroristëve islamik dhe rafineritë e naftës, zemra e ekonomisë çeçene. Ndërkaq Moska zyrtare vazhdon të dërgoj trupa të tjera për të përforcuar kufirin administrativ me Çeçeninë. Deri tani kane gjetur vdekjen nga bombardimet mbi 400 vetë dhe nga 15 deri në 70 mijë janë strehuar në Republikën fqinje të Ingushetisë. Kjo e fundit ka kërkuar ndihmën e OKB-së.

Shpërthim në një qendër tregtare në Sevajal 250 km larg kryeqytetit Nju Meksiko. Policia ka arrestuar 4 të dyshuar si autorë të shpërthimit ku gjetën vdekjen 59 vetë dhe mbi 300 të tjerë u plagosën. Në qytet kanë filluar polemikat pasi në këtë qendër tregtare dyshohej se funksiononte një punishte klandestine fishekzjarresh./tvklan.al