Bregdeti i Vlorës është zgjedhur si një nga vendqëndrimet transit për ekipin prej 70 turistësh izraelitë, që me jahtet e tyre kanë nisur një udhëtim në brigjet më elitare të turizmit mesdhetar.
I konceptuar në formën e një gare MedRedRally për herë të parë në Shqipëri, falë iniciativës së kompanisë Xhoi Travel, përveç zbulimit të një vendi të panjohur, përshtypjet e turistëve të mbërritur në portin e jahteve në Orikum janë mbresëlënëse.
“Kemi zgjedhur të vijmë këtu pasi pamë që Shqipëria është një vend i bukur. E shijuam udhëtimin përgjatë bregut dhe besojmë se potencialet e Shqipërisë për turizëm dhe sidomos turizmin detar janë të mëdha. Mendoj se kemi zgjedhur kompaninë e duhur për të bashkëpunuar.”
“Vijmë nga Izraeli në Shqipëri, ishte një udhëtim shumë i gjatë dhe jo gjatë gjithë rrugës era ishte miqësore me ne, por në fund mbijetuam. Jam i impresionuar nga mikpritja e njerëzve këtu, janë të mrekullueshëm.”
“Lundrimi për në Shqipëri ishte shumë i bukur dhe jemi të gjithë shumë të lumtur që jemi këtu sepse është një eksperiencë e re. Deri tani është thjesht e mrekullueshme.”
Nëpërmjet këtij aktiviteti organizatorët synojnë t’i japin një tjetër dimension turizmit elitar në vend, duke promovuar resurset e shumta turistike të bregdetit shqiptar.
Andi Mahilaj: “Me këtë aktivitet që ka një jehonë ndërkombëtare Xhoi Travel fut Shqipërinë në rrjetin e vendeve në të cilat zhvillohen jahtet e deteve. Nga ana jonë i gjithë organizimi i këtij aktiviteti është konceptuar në mënyrë të atillë që ky aktivitet të mos mbetet vetëm këtu, por të përsëritet dhe në vitet e ardhshme në përmasa dhe më të mëdha.”
Për Dhomën Shqiptaro-Britanike të Tregtisë futja e Shqipërisë në listën e vendeve më të preferuara nga agjencitë prestigjioze të turizmit në botë do të thotë mundësi më të mëdha për investime të huaja në këtë sektor.
Zenel Hoxha: “Një ngjarje e rëndësishme për të ardhmen e turizmit në Shqipëri, turizmit elitar dhe për këtë i përgëzojmë të gjithë ata që kanë bërë të mundur realizimin e ardhjes së këtyre emisarëve, të cilët do të shërbejnë si parketuesit më të mirë të vlerave turistike që ofron Shqipëria. Dhoma e Tregtisë Shqipëri-Britani e Madhe është tashmë e përgatitur për të pritur investitorët e mëdhenj britanikë, siç Savills, Halcrow dhe të tjerë të cilët e kanë vizituar Shqipërinë, kanë bërë studimet e para dhe tani presin që të hedhin idetë e tyre konkretisht në Shqipëri”.
Ky aktivitet u zhvillua nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe në fund të ditës një mbrëmje çlodhëse plot muzikë dhe argëtim bëhet epilogu i një pasioni që Shqipëria turistike zgjon mes miqsh të rinj dhe të vjetër./tvklan.al