Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale një video brenda Institutit të Shëndetit Publik, aty ku bëhen testimet për Covid. Rama thotë se laboratori i testimeve është sipas standardeve të BE-së. Ai shton se gjendja aty është e paimagjinueshme të krahasohet me disa vite më parë.
“Gjithçka është sipas standardeve të Bashkimit të Europian dhe s’ka asnjë krahasim të imagjinueshëm me kushtet e disa viteve më parë, e ku punon me tre turne një ekip fantastik specialistësh të nivelit ndërkombëtar, me një përkushtim të admirueshëm”, thotë Rama.
Ndërkohë mjekët, kanë bërë të ditur se si funksionon e gjithë procedura që nga marrja e testeve e deri tek dalja e përgjigjeve. Silva Bino, shefja e epidemiologjisë në ISHP tregoi se pandemia e Covid, nuk krahasohet me asnjë lloj tjetër epidemie që janë përballur ekspertët në Shqipëri.
Bino tha se është bërë gjurmimi i rasteve nga skuadrat e terrenit. Sa i përket numrit të testimeve, Bino tha se testimet për popullatën kanë qenë goxha të larta.
“Ajo që kemi bërë goxha shumë ka qenë gjurmimi i rasteve që është kryer nga skuadrat e terrenit. Numri i personave që punojnë në terren është rritur vazhdimisht. Shqipëria nuk ka nivel të ulët testimesh. Shqipëria ka raportuar vetëm testimet publike dhe jo private. Po të shikosh testimet ditore që kryhen në të gjithë rajonin ne kemi testime për popullatë goxha të larta”, tha Bino.
Silva Bino u shpreh se askush nuk është duke sajuar Covid-19, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në të mirë të shëndetit të tyre.
“Të gjithë këta nuk mund të sajojnë virusin në lidhje me atë që ndodh. Ne do donim gjithnjë bashkëpunimin me qytetarët, angazhimin e tyre për mbrojtjen e shëndetit të tyre për ta kuptuar që virusin nuk është një lojë, ata duhet të kujdesen për veten dhe për të tjerët. Të sëmuresh me Covid-19 nuk është turp. Është e mira të izolohen, të marrin mjekim shëndetësor kur duhet”, tha ajo. /tvklan.al