Kombëtarja shqiptare e vajzave U-17, ka mbyllur përgatitjet për sfidën me Izraelin, e vlefshme për raundin e dytë të Kampionatit Europian 2025 për këtë grupmoshë.

Përfaqësuesja kuqezi është gati dhe synimi është një rezultat pozitiv, për ta nisur me këmbën e mbarë.

Kombëtarja e drejtuar nga trajnerja Cyme Lulaj është grumbulluar prej të Dielës në Andorra, aty ku do të zhvillohen edhe ndeshjet e këtij raundi. Skuadra i dha fund sot përgatitjeve dhe grupi gëzon formë të mirë fizike.

Ndeshja e parë kundër Izraelit do të luhet të Martën në “Centre d’Entrenament FAF Santa Coloma” në orën 11:00. /tvklan.al