“Risk i shtuar nëse familjet tregojnë prirje drejt kursimit”

Pavarësisht të dhënave të tërthorta që fundi i vitit 2020 dhe fillimi i këtij viti kanë dhënë sinjale pozitive për rikuperimin e aktivitetit ekonomik, Banka e Shqipërisë vlerëson se potencialet e këtij rikuperimi do të varen fort nga dy faktorë, masat kufizuese në bazë të skenarëve të pandemisë dhe ecuria e vaksinimit.

Në raportin e politikës monetare të tremujorit të parë të këtij viti, Banka qëndrore mban një vlerësim për një përmirësim të ekonomisë me 10% krahasuar me kohën e karantinës, por me një rënie 3.5% nëse do të krahasohej me 2019-n.

“Treguesit e disponuar sugjerojnë një ngadalësim të ritmit të rikuperimit të aktivitetit ekonomik në tremujorin e fundit të vitit, si pasojë e intensifikimit të përhapjes së epidemisë në vend e në botë”.

Edhe kërkesa konsumatore është paraqitur më e ulët se një vit më parë, ndërsa bizneset vijuan politikat e shtrënguara për investimet e reja.

“Pasiguria në nivele ende të larta dhe rënia e të ardhurave të disponueshme janë faktorët kryesorë që kanë penguar rikuperimin e plotë të konsumit privat në tremujorin e tretë”.

Banka qëndrore vlerëson si faktorë rreziku përveç situatës së epidemisë në vend dhe kufizimit të daljeve, tendencën rritëse drejt kursimit të familjeve ose realizimin e ngadaltë të programit të rindërtimit.

Tv Klan