Fermerët e Elbasanit janë integruar plotësisht në ekonominë e tregut duke u profilizuar dhe shfrytëzuar tokën për prodhimet që kanë treg dhe mundësitë e fitimit.
Gjatë këtij viti është rritur prodhimi vendas, ndërkohë që Drejtoria e Bujqësisë ka në projekt sigurimin e tregut me shumicë dhe stimulimin e eksporteve.
Neshat Sadiku: “Gjendja aktuale e furnizimit të tregut në qarkun e Elbasanit, është plotësuar me të gjithë perimet e serave dhe të fushës. Është ulur në mënyrë të ndjeshme furnizimi i tregut nga importi, po thuajse në këtë periudhë nuk ka fare produkte qoftë perime, qoftë edhe të pemëve frutore që të vijnë nga importi. Pra kjo tregon edhe një rritje në sasi të konsiderueshme të prodhimit vendas”.
Nga ana tjetër qarku i Elbasanit numëron dhe një numër të lartë të sipërfaqeve tokësore të cilat shfrytëzohen nga serat.
Si një mundësi për prodhimin e produkteve për çdo stinë, fermerët tashmë e kanë të garantuar tregun e shitjes.
“Mbjellim rrush, kemi sera, bujqësi kemi e bëjmë raki, verë, e shesim psh. Nga të gjitha anët i bëjmë këto ne. Jemi të kënaqur”.
Si pasoje e dominimit të prodhimit vendas çmimet kanë qenë më të ulta në tregjet e fruta-perimeve të Elbasanit.
Nga ana tjetër fermerët e zonave të thella janë duke shtuar sipërfaqet e mbjella me vreshta dhe dru frutorë pasi janë të stimuluar edhe nga subvencionet e shtetit në këtë drejtim.
Sa i përket sipërfaqes së papunuar në qarkun e Elbasanit numërohen vetëm 700 hektarë dhe këtë sipërfaqe fermerët ja kanë lënë në përdorim të afërmve të tyre.
Sektori i bujqësisë në rrethin e Lushnjës pas 20 vitesh shënon rendimentin më të lartë të këtyre dy dekadave.
Statistikat e Drejtorisë së Bujqësisë në qarkun e Fierit tregojnë se ky sektor ka shënuar rritje të rendiment dhe të të ardhurave për frymë të popullatës.
Isuf Çela: “Për vitin 2009 ka një rritje 2.6%, pra krahasuar kjo dhe me vitet 2008. Me 2007 është 4.3% dhe me 2006 është 5.2%. Rezulton se për çdo familje fermerësh duke parashikuar për një familje me 4 veta. Çdo fermer del viti 2005 me 2.8 dollarë për frymë, viti 2006 3 dollarë, viti 2007 3.1 dollarë, viti 2008 4.1 dollarë dhe viti 2009 4.3 dollarë për frymë”.
Kjo rritje shpjegohet si efekt i përmirësimit në strukturat e mbjelljeve, i përqendrimit dhe rajonizimit të kulturave bujqësore. Por ky studim ka treguar se subvencionimi nga shteti shqiptar i vreshtave, pemëtoreve, ullishtave, apo në blegtori ka bërë që të nxisë fermerin myzeqar të shtoje sipërfaqet e mbjella./tvklan.al