Skema e subvencionimit të pemëtarisë dhe vreshtarisë nga ministria e Bujqësisë ka dhënë frytet e para të zbatimit të saj. Sipërfaqet e mbjella me kulturën e ullirit dhe pemë të tjera frutore janë rritur ndjeshëm. Në rrethin e Lushnjës, zgjerimi i plantacioneve të ullirit tashmë nuk kryhet vetëm në zonat kodrinore por edhe ato fushore.
Isuf Çela: “Sivjet në rrethin e Lushnjës është trefishuar sipërfaqja e mbjellë më këtë kulturë. Nga 50 Ha që u mbollën vitin e kaluar sivjet janë mbjellë afërsisht 200 Ha dhe numri i rrënjëve është më i madh se vitin e kaluar rreth 4 herë dhe për 2-3 vjet këtu hyn në prodhim ulliri dhe jep prodhim mjaftueshëm.”
Banorët thonë se rritja e sipërfaqeve të mbjella me ullinj është me leverdi për ta pasi mund të sigurojnë lehtësisht tregun e shitjes.
Banori 1: “Kam mbjellur gati 500 rrënjë ullinj, shumë të leverdishëm për vaj edhe deri tani është viti i 3 që i kam mbjell. Vitin që vjen çdo rrënjë do marr tek 10 kg.”
Banore 1: “Ka leverdi të madhe populli po ta shtojë, ose ti punojë, ose po ti bëjë shërbimin.”
Edhe në qarkun e Elbasanit falë mbështetjes nga ministria e Bujqësisë fermerët kanë filluar të shfrytëzojnë çdo pëllëmbë tokë. Ngritja e plantacioneve me dru frutorë ka zëvendësuar mbjelljen e kulturave të misrit dhe grurit, që për vite me radhë zinin pjesën më të madhe të tokave bujqësore.
Banori 2: “Jam banor i fshatit … komuna Pregal, tani kemi bërë investime në pemtari, në vreshtari, ullishte. Mbi të gjitha unë disponoj afërsisht 7 Ha tokë në të cilën e kam të gjithë qershi, ullinj, kajsi, pemë frutore, vreshta dhe kemi pasur leverdi shumë të madhe ekonomike nga këto.”
Baori 3: “Kam mbjellur 13 dynym ullinj dhe kam përfituar nga projekti 350 mijë lek të vjetra për dynym.”
Numri i ullinjve të mbjellë brenda një viti është rritur ndjeshëm, çka sipas specialistëve do t’i japë një tjetër shtysë sektorit agroindustrial.
Neshat Sadiku: “Deri në periudhën 30 mars janë mbjellë rreth 400 Ha ullishta të reja. Është planifikuar që në qarkun e Elbasanit të mbillen rreth 8500 Ha ullishta të reja dhe të ristrukturohen 2234 Ha ullishta të vjetra.”
Për të përfituar nga skema e subvencionimit në këtë rreth kanë aplikuar 636 fermerë ndërsa në qarkun e Fierit 500 të tillë kanë marrë një shumë prej 400 mijë lekësh./tvklan.al
Gazetare: Anila Sefa