Skema e subvencionimit  të pemëtarisë dhe vreshtarisë nga Ministria e Bujqësisë ka dhënë frytet e para të zbatimit të saj. Sipërfaqet e mbjella me kulturën e ullirit dhe pemë të tjera frutore janë rritur ndjeshëm.  Në rrethin e Lushnjës, zgjerimi i plantacioneve të ullirit tashmë nuk kryhet vetëm në zonat kodrinore por edhe ato fushore.

Isuf Çela: “Sivjet në rrethin e Lushnjës është trefishuar sipërfaqja e mbjellë në këtë kulturë. Nga 50 hektarë që u mbollën vitin e kaluar, sivjet janë mbjellë afërsisht 200 hektar dhe numri i rrënjëve është më i madh se vitin e kaluar 4 herë dhe për 2-3 vjet këty hyn në prodhim ulliri dhe jep prodhime të mjaftueshme”.

Banorët thonë se rritja e sipërfaqeve të mbjella me ullinj është me leverdi për ta pasi mund të sigurojnë lehtësisht tregun e shitjes.

“Kam mbjellur gati 500 rrënjë ullinj, shumë të leverdishëm për vaj edhe deri tashi është viti i 3 që i kam mbjell, vitin që vjen çdo rrëj ulli do marr ke 10 kilshja”.

“Ka leverdi të madhe populli po ta shtoj ose po t’i punoj, ose po ti bëj shërbimin”.

Edhe në Qarkun e Elbasanit falë mbështetjes nga Ministria e Bujqësisë fermerët kanë filluar të shfrytëzojnë çdo pëllëmbë tokë. Ngritja e plantacioneve me dru frutorë ka zëvendësuar mbjelljen e kulturave të misrit dhe grurit, që për vite me radhë zinin pjesën më të madhe të tokave bujqësore.

“Jam banorë i fshatit Silbadheër, komuna Tregar. Tani kemi bërë investime në pemtari, në vreshtari, ullishta. Mbi të gjitha unë disponoj afërsisht ke 7 hektarë tokë në të cilën e kam të gjithë qershi, ullinj, kajsi, pemë frutore, vreshta dhe kemi pas leverdi shumë të madhe ekonomike nga këto”.

“Kam mbjellur 13 dylym ulli dhe kam përfituar nga projekti 350 mijë lekë të vjetra për dylym”.

Numri i ullinjve të mbjellë brenda 1 viti  është rritur ndjeshëm, çka sipas specialistëve do t’i japë një tjetër shtysë sektorit agroindustrial.

Neshat Sadiku: “Deri në periudhën 30 mars, janë mbjellë rreth 400 hektarë ullishte të reja. Është planifikuar që në qarkun e Elbasanit të mbillen rreth 8500 hektar ullishte të reja dhe të ristrukturohen 2234 hektar ullishta të vjetra”.

Për të përfituar nga skema e subvencionimit në këtë rreth kanë aplikuar 636 fermerë ndërsa në qarkun e Fierit 500 të tillë kanë marrë një shumë prej 400 mijë lekësh./tvklan.al

Gazetare: Anila Sefa