Kovaçevski: Ky është një proces që do të ndodhë

Iniciativa e qeverisë së re bullgare për zgjerimin e radiusit dhe dinamikës së negociatave për tejkalimin e kontestit më Maqedoninë e Veriut ka filluar të realizohet. Një pjesë e 13 ministrave të cilët së bashku me Kryeministrin Dimitar Kovaçevski erdhën nga Shkupi në seancën e përbashkët qeveritare me kolegët nga Sofja janë dakorduar për detyrat dhe afatet e para për avancim të punës së komisioneve të ekspertëve për ekonomi, infrastrukturë, kulturë, eurointegrime, krahas Komisionit të deritanishëm për tejkalimin e dallimeve historike. Pritshmëritë janë që të punohet në mënyrë të përshpejtuar, madje edhe komisioni kontestues historik.

“Sot kur secili grup i punës i ka prezantuar rezultatet që duhet të arrihen dhe detyrat në Komisionin historik, ne me Dimitarin kemi vërejtur nivel tjetër të entuziazmit për punë, regjim të ri të punës. Fakti që do të kemi tre takime zyrtare brenda katër muajve dhe punë shumë intensive në mes takimeve, i jep ritëm tjetër çështjes që duhet të përfundojë. Profesorët nga të dyja palët treguan se janë të gatshëm që kjo të shndërrohet në ton konstruktiv. Ne nuk do të bëjmë ndryshime kadrovike në komision.”

Çështjeve ekzistuese politike në relacionin Sofje-Shkup nuk do t’u bëhet presion nga temat e biznesit ose infrastrukturore, shpreh bindjen Kovaçevski, madje as nga çështja për të cilën insistojnë autoritetet bullgare për përfshirjen në Kushtetutë të personave në Maqedoninë e Veriut të cilët deklarohen si bullgarë. Ky është proces, thekson ai.

“Është normale që qytetarë të tjerë të shtetit të cilët vetëpërcaktohen në mënyrë tjetër të mund të kërkojnë të jenë pjesë e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky është proces, i cili kalon nëpër ndryshimet kushtetuese në më shumë hapa, në të cilin janë të përfshirë më shumë institucione. Në qoftë se kjo ndodh, ndërsa është normale diçka e tillë të ndodhë në rrugën e një vendi drejt BE-së, atëherë hapet Kushtetuta që të bëhen edhe përshtatje të tjera, atëherë në atë proces sigurisht se do të jenë të përfshira edhe ato çështje në bazë të kërkesave të qytetarëve.”

Sot pasdite Kovaçevski u takua edhe me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev. Seanca e përbashkët qeveritare, e dyta me radhë në vitet e fundit, nuk sugjeroi zhbllokim të shpejtë të negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në, por së pari realizim të projekteve për të cilat flitet për dekada me radhë, siç është ndërtimi i autostradës dhe linjës hekurudhore përgjatë Korridorit 8, linja ajrore, të biznesit, universitare si dhe bashkëpunim në mes të rinjve.

Tv Klan