Ekzekutori i dyshuar i Edmond Papës pritet të shpallet në kërkim ndërkombëtar
Andrew Bode, i njohur edhe me emrin Ervin, i dyshuari si ekzekutor i Edmond Papës, do të shpallet në kërkim ndërkombëtarë. Gjykata penale i ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg në mungesë. Vendimi do t’i dërgohet prokurorisë e cila do të njoftojë më pas interpolin Tiranë. Burime bëjnë me dije për Klan News së zyrtarisht në sistemin TIMS Andrew Bode rezulton se ndodhet brenda territorit shqiptar.
Po i njëjti burim thekson se nga të dhënat që kanë marrë dyshohet se 44-vjeçari me origjinë nga Berati mund të jetë larguar në mënyrë ilegale drejt Greqisë, dhe më pas tranzit drejt vendeve të tjera. Bode u zbulua nga pamjet e kamerave të sigurisë në zonën e Selitës aty ku u ekzekutuar Edmond Papa. Për ngjarjen ka rënë në pranga edhe 31-vjeçari Albano Velo i cili akuzohet nga prokuroria se ka pasur rolin e vëzhguesit. Nga verifikimi i tabulateve telefonike të Albano Velos është provuar se ditën e krimit, më 16 Dhjetor, por edhe dy ditë para vrasjes ka qenë duke lëvizur përgjatë zonës ku u vra Papa.
Po ashtu sipas prokurorisë ka dyshime së Edmond Papa ka qenë nën ndjekjen e personave që kanë dhënë urdhrin për ekzekutimin e tij që në muajin Nëntor. Albano Velo dhe Andrew Bode, janë lidhje shoqërore e Aleksadër Sadikajt që u ekzekutua me shpërthim me eksplozivë në 11 Qershor të vitit të shkuar. Sipas dosjes hetimore Sadikaj është takuar me Edmond Papën dy dite përpara së ti bëhej atentat në qytetin e Sarandës.
Klan News