Klotilda Bushka ka deklaruar se do të japë përgjigje atje ku duhet në lidhje me hetimet e SPAK se ka penguar zbardhjen e së vërtetës në lidhje me hetimet ndaj Erion Veliajt.
Në Komisionin e Ligjeve ajo nuk ka pranuar të japë dorëheqjen, kërkesë e ligjvënësve demokratë.
Në një status në rrjetet sociale, deputetja socialiste e nis komentin duke i dalë në mbrojtje kryetarit të bashkisë Veliaj, për të cilin thotë se SPAK duhet ta hetonte në gjëndje të lirë.
“Jam “pa fjalë” prej 24 orësh që figurokam edhe unë në listën e gjatë të emrave që ka grumbulluar SPAK-u për të lënë Tiranën pa kryetar bashkie, bazuar në dyshime të lidhura me njëra-tjetrën si në një film, për të cilat maksimumi i akuzave për Erjon Velinë dhe Ajola Xoxën, mund të ngrihej në gjendje të lirë. Por kjo është një temë tjetër”.
Më pas komentin e vijon me hetimet ndaj saj, duke theksuar se është shoqe me Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën. Deklaron se halli sot është se si e vërteta e Ajolës, të mos mbulohet.
“A kam folur me Ajolën gjatë këtyre muajve të ferrit që ajo po kalon, duke u gjendur nën një presion të frikshëm mediatik, përveçse në një proces që për mua ka shumë pikëpyetje? Po, kam folur dhe do flas sa herë të më kërkojë apo ta kërkoj. Por kurrë për të mbuluar të vërtetën, sepse halli s’ka qenë asnjëherë se si e vërteta që Ajola ka ndarë me mua, të mbulohet. Halli ka qenë dhe sot është edhe më i madh, se si e vërteta e Ajolës të mos mbulohet”.
Klotilda Bushka bën të ditur se i ka kërkuar grupit parlamentar të dëgjohet.
Kjo është pranuar nga Kryeministri Rama, i cili ka lajmëruar ne Facebook se mbledhja e grupit do të zhvillohet të mërkurën në orën 09:00 duke postuar reagimin e deputetes socialiste.
Klan News