Anuela Ristanit, një prej 5 nënkryetarëve të Bashkisë, i ështe deleguar drejtimi i punës së Bashkisë së Tiranës. Edi Rama shkeli tre here brenda 24 orëve në Bashkinë e Tiranës pas arrestimit të Veliajt dhe foli me nënkryetarët përpara se të përzgjidhej emri i Ristanit.
Rama ju dha atyre sigurinë se do të jetë dhe vetë prezent për të vlerësuar çdo vendimmarrje. Pohim që e bëri publikisht në eventin që kishte organizuar Veliaj për 105-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet dhe që vetëm pak orë përpara nisjes, Kryeministri lajmëroi se do të shkonte personalisht për të mbajtur fjalim.
“Unë kryetar bashkie kam qenë mbase jo aq i zoti sa kryetari juaj, por gjithsesi sot që Tirana dhe Shqipëria ma kanë marrë gjithë pigmentin e flokëve dhe të gjithë këtyre çfarë quhen, diçka kam edhe unë që mund të bëj në mbështetje të tyre. Kështu që, do takohemi rregullisht, do diskutojmë rregullisht, do planifikojmë rregullisht. Do planifikoni ju, unë thjesht do them Kjo nuk është mirë, kjo është mirë, si gjithmonë, dhe pastaj, së bashku me gjithë deputetët e Tiranës, me të gjithë punonjësit e bashkisë, me të gjithë rrjetin e fuqisë së Tiranës do të bëjmë që sezoni i verës të jetë spektakolar dhe të jetë vazhdimi më i ëmbël i mbylljes së sezonit të pranverës në 11 Maj”.
Madje për të treguar se Tirana tanimë do të jetë në fokusin e tij kryesor, Rama i dha fund dilemave dhe deklaroi se do të kandidojë në listën e kryeqytetit në 11 Maj.
“Falë edhe asaj që ndodhi dje, edhe për mua është e qartë që edhe unë duhet të jem këtu në Tiranë bashkë me gjithë skuadrën e Tiranës dhe nuk diskutohet që në 11 maj ne, Tirana do t’i japë Shqipërisë numrin më të madh që i ka dhënë ndonjëherë të deputetëve të forcës më të madhe politike të shqiptarëve”.
Edi Rama ju tha të ftuarve të kryebashkiakut se ai mungonte sepse kontrata e tij me qytetarët e kryeqytetit ishte ndërprerë nga një prokuror.
“Kontrata është ndërprerë nga dikush që unë personalisht dhe sinqerisht nuk e njoh as për fytyrë dhe ndërkohë që kush zgjidhet ka një llogari të përditshme për të dhënë, kush zgjedh që njeriun e zgjedhur ta marrë pa gjyq dhe ta mbyllë në një dhomë paraburgimi nuk është e qartë për mua se llogari përpara kujt jep, por me siguri jo përpara qytetarëve që kanë zgjedhur kryetarin e bashkisë”.
Rama ishte më i drejtpërdrejt se në komunikimin e mëngjesit kur foli për arrestimin e Veliajt, që sipas tij ishte pika që derdhi gotën në raportin që Partia Socialiste kishte vendosur të mbante ndaj çdo hetimi të njerëzve të saj nga SPAK-u.
“Ajo që ka ndodhur dje ka kaluar çdo limit në raport jo me të drejtën absolute dhe gjithmonë pa lëkundjen e mbështetur nga ne për të hetuar dhe për të çuar përpara drejtësisë këdo, pa parë majtas dhe djathtas por në raport me ndarjen e domosdoshme të pushteteve dhe me domosdoshmërinë që një pushteti të zgjedhur t’i japësh mundësinë të ushtrohet dhe të gjithë kohën që ndërkohë hetohet dhe gjykohet. Sot jemi në kushtet kur gjendemi përpara një çështjeje ku nuk kemi një akuzë për korrupsion dhe një hetim mbi një akuzë për korrupsion, por kemi një hetim për një person. Nuk është hetuar një akuzë për korrupsion, është hetuar personi”.
Për Ramën, arrestimi i personave të zgjedhur kur dosja është në fazën e hetimit, është shpikje e drejtësisë shqiptare.
“Nuk dua të sjell shembuj nga Europa ku duam të integrohemi, por dua të them që paraburgimi i personave të zgjedhur është një fenomen sui generis me të cilin ballafaqohemi ne këtu”.
Rama përsëriti disa herë se nuk e di nëse Veliaj është i pafajshëm ose fajtor, por ai kërkon në mënyrë të përsëritur prova nga organi akuzës.
“Nëse Erion Veliaj dhe e shoqja kanë blerë 800 e kusur mijë euro fustan dhe bizhuteri, ne nuk kemi çfarë diskutojmë fare, por ama ne kemi te drejtën të kërkojmë prova, prova dhe ne kemi të drejtën të themi që në ndërkohë hedhja e kësaj shifre në mexhelis është absolutisht e qëllimshme për të ekzaltuar masën që kërkon gjah dhe nga ana tjetër për të krijuar një situatë ku të jetë e pamundur që të diskutosh. Po, këto nuk janë shenja aspak të mira dhe unë dua të shpresoj që këto janë shenja që nuk lidhen me simptomat e një sëmundjeje vetëkënaqësie dhe vetëbesimi dhe dua të besoj që ajo që kam thënë dhe unë qëndroj asaj në aspektin e rrezikut, që kjo nuk është republikë prokurorësh”.
E thënë të gjitha këto, Edi Rama që thotë se është ideatori dhe mbështetësi më i madh i Reformës në Drejtësi, sot deklaroi se përpara kanë një sfidë të madhe me këtë drejtësi.
“Sfida është pavarësia e arritur duhet të garantojë dhe të garantohet nga profesionalizmi, nga standardet demokratike dhe nga garancitë për të gjithë liritë dhe të drejtat e kujtdo. Prezumimi i pafajësisë nuk është një rresht që shkruhet për të larë gojën në fund të një romani akt akuzë me thuajse 400 faqe ku faktikisht flitet deri dhe për persona që nuk kanë shfaqur pendesë”.
Rama deklaron se është dëshmitar se janë përdorur metoda të ngjashme me ato të hetuesisë komuniste gjatë marrjes në pyetje nga prokurori i dosjes Veliaj, shenja sipas tij që flasin për rrezikun kthimit të drejtësisë së re në një drejtësi aktivistësh.
“Janë intimiduar njerëz që më kanë bërë të mendoj për kohën kur unë jam marrë nga policia përpara rënies së regjimit. Jam futur në makinën e policisë, jam çuar në një repart a rajon çfarë ishte se unë si di mirë këtu, në mos gaboj aty ky ka qenë Prokuroria e Tiranës, nuk e di nëse është aty akoma dhe aty më është folur për turpin që duhet të ndieja që po tradhtoja babain. Një njeriu në atë hetim i është përmendur i ati, që është punonjës në shtet duke i thënë: mirë është ta nderosh babain. Ku jemi këtu? Kjo nuk ka lidhje fare me fajësinë apo pafajësinë e Erionit”.
Më herët, gjatë komunikimit online në rubrikën sy më sy atyre që i kërkojnë dorëheqjen, u tha se kjo do të ndodhë vetëm nëse piqet një nga dy kushtet që ai ka për të mos e mbajtur më detyrën e Kryeministrit.
Gjatë komunikimit ironizoi edhe ekzaltimin sipas tij që demokratët përjetuan nga fakti që ish-konsulenti i Presidentit Trump do të drejtojë fushatën e tyre.
Gjatë komunikimit virtual, Rama e përjetoi shumë keq momentin kur pati një shkëputje të lidhjes live në një nga rrjetet ku po komunikonte.
Por në komentin që bëri për këtë shpërthim që u bë viral në rrjete sociale, tha se është i vërtetë në pasionin me të cilin i bën punët.
Tv Klan