Mbrojtësi i Real Madridit, Raul Asencio rrezikon që të dënohet me pesë vite heqje lirie, pasi dyshohet se ka shpërndarë një video intime të një vajze 16-vjeçare.
Lojtari 21-vjeçar ka qenë nën hetim së bashku me tre ish-shokët e tij të ekipit të të rinjve të Madridit, Ferran Ruiz, Juan Rodriguez dhe Andres Garcia, për incidentin e dyshuar që ndodhi më 15 Qershor 2023 në Gran Canaria.
Incidenti u raportua në policinë spanjolle nga nëna e vajzës dy muaj më vonë, raporton “Daily Mail”.
Sipas të ëmës, njëri nga katër lojtarët regjistroi një video eksplicite të vajzës së saj, përpara se ta shpërndante atë.
Sipas paditëses, marrëdhënia intime ka qenë konsensuale, por jo regjistrimi i saj.
Asencio e ka apeluar çështjen në Gjykatën provinciale të Las Palmasit, që ai të mos konsiderohet si i dyshuar, pasi pretendon se provat janë spekulative, por akuzat ndaj tij nuk i kanë hequr.
Gjykata përcaktoi se ka indikacione të arsyeshme për aktivitet kriminal, me Asencion që akuzohet se ka kryer krimin e publikimit të sekreteve, si edhe të shpërndarjes së pornografisë për fëmijë.
Sipas gjykatës, një nga të dyshuarit deklaroi se ishte mbrojtësi i Realit që ia tregoi videon, ndërsa nga të dhënat e telefonave celularë rezultoi se regjistrimi ishte marrë nëpërmjet ËhatsApp.
Madje sipas hetuesve, në bisedimet mes të akuzuarve ishte folur në mënyrë poshtëruese kundrejt viktimës.
Klan News