Nëse EULEX-i tenton që me çdo kusht të nënshkruaj protokolle bashkëpunimi me Serbinë, atëherë për vendin duhet të hapen perspektiva të reja siç është ideja e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha.
Kështu mendon kryeredaktori i gazetës Ekspres, Berat Buzhala. Ai sikur Berisha, thotë se rruga e vetme e shqiptarëve të Kosovës është bashkimi me Shqipërinë në të gjitha sferat, përfshirë doganat e përbashkëta, ekonominë, sportin dhe kulturën.
Berat Buzhala: “Nëse EULEX-i si sorogat, si nëndegë e BE-së në Kosovë, ekziston aq shumë që ne edhe ma tutje të bëjmë koncesione ndaj Serbisë, e ata asnjë fije të mos çojnë për raport me Kosovën. Atëherë t’i sqarojmë kanalet tona nga Shqipëria”.
Por, ndryshe mendon gazetari Halil Matoshi. Ai thotë se qëndrimi i Berishës është i gabuar për shkak se si i tillë e dërgon Kosovën drejt prishjes së marrëdhënieve me shtetet e tjera fqinje.
Halil Matoshi: “Berisha këtë deklaratë e ka bërë për konsum të brendshëm, por edhe i kritikuar në një mënyrë se po mban anën ndaj disa partive politike në në Kosovë”.
Matoshi, vlerëson se Kosova si shtet duhet edhe ta ketë identitetin e vet.
Hail Matoshi: “Tirana e ka njoft Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, si entitet të posaçëm”.
E me këtë nuk pajtohet Berat Buzhala. Ai thotë se koha e krijimit të identiteteve të reja ka mbaruar edhe Kosova duhet drejtuar kah Shqipëria.
Berat Buzhala: “Me provu me vu barriera që gjoja na jemi një identitet i veçantë. Kjo është një shkurt pamësi”.
Deklarata e kryeministrit Sali Berisha dhe insistimi i EULEX-it për marrëveshje me Beogradin, kanë bërë që në Kosovë të hapen debate për dhe kundër këtyre ideve./tvklan.al