Një ditë pas publikimit të nismës nga Lëvizja Socialiste për Integrim, lidhur me nisjen e procedurave ligjore për thirrjen e një referendumi popullorë për të kundërshtuar një pjesë të ndryshimeve kushtetuese, nismëtarët kanë arritur të sigurojnë rreth 18 firma deputetësh. Aleancisti Neritan Ceka, deklaroi se nismës i janë bashkuar kryesisht deputet nga radhët e opozitës por edhe disa nga mazhoranca.
Neritan Ceka: “Ka dhe nga PS-ja një numër firmash, ka dhe nga PD-ja përsëri një numër firmash edhe natyrisht që është PSD-ja, LSI-ja, Aleanca, PDS-ja edhe deputet të tjerë. Besoj që brenda kësaj jave do sqarohet nëse do mblidhen të 28 firmat. Mënyra e zgjedhjes së presidentit në ndryshimet kushtetuese bëhet nga 50+1, vetëm nga 71 deputet gjithashtu dhe për kompetencat e kryeministrit, tëcilat e kthejnë atë në një figurë mbi të gjithë pushtetet e tjera”.
Firmave të grupit parlamentar të LSI-PDS-së i janë bashkuar edhe deputetët e majtë Petro Koçi, Luan Memushi, Taulant Dedja, Durim Lamaj dhe socialdemokrati Skënder Gjinushi. Ndërsa nga mazhoranca konfirmohet se ka firmosur deputeti Spartak Ngjela. Për zyrtarizmin e kësaj nisme duhet të firmosin 28 deputet./tvklan.al