“All the light we cannot see” (Të gjitha dritat që nuk mund të shohim) u titullua ekspozita me veprat e piktorit të njohur shqiptar bashkëkohor, Ali Oseku, pasditen e 7 Shtatorit në një event të bukur me miq dhe artdashës nga “Harabel Contemporary”, të kuruara nga Ajola Xoxa.

Në një intervistë për emisionin “Rudina” në Tv Klan, Ajola Xoxa thotë se pikturat që kanë përzgjedhur nga Ali Oseku janë kryesisht të gjitha të reja.

Ajola Xoxa: Kjo është një ekspozitë që e kemi pritur dhe e kemi kërkuar për shumë kohë. Ali Oseku është një nga piktorët më të rëndësishëm të pikturës bashkëkohore shqiptare, paçka se ai është rreth 80 vjeç. Ai mbetet një nga bashkëkohorët e përjetshëm. Ajo që është më e bukur në pikturën e tij, është kërkimi dhe gjetja e bukurisë në gjërat e thjeshta fare. Ai gjen bukuri në një fushë me grurë, ai gjen bukuri në disa pemë, gjethet e së cilës përkunden nga era, ai gjen bukuri tek gruaja e tij, tek prindërit e tij. Ekspozita do të zgjasë për 6 javë, kështu që do të mbyllet në gjysëm të Tetorit. Pikturat që kemi përzgjedhur janë kryesisht të gjitha të reja. Janë shumë pak nga repertori i vjetër i tij.

Në mungesë të tij, në çeljen e kësaj ekspozite ishte vajza e tij, Ajsel Oseku.

Për të gjithë ata që duan të shijojnë nga afër këtë ekspozitë, do të qëndrojë e çelur deri në 9 Tetor./tvklan.al