Lajme Arkiva 2003
Me çeljen e Panairit të 6-të të Librit ajo që të bie në sy është se tani jo vetëm mediat, por edhe botuesit i nënshtrohen ligjit për të drejtat e autorit edhe pse ndoshta jo me të njëjtën korrektësi, shumë shtëpi botuese kanë krijuar lidhjet e tyre duke siguruar të drejtat e botimit të mjaft autorëve të suksesshëm në botë.
Mes tyre mund të përmendej shtëpia botuese “Dudaj”, e cila ka marrë të drejtën e botimit të librit biografik të Hilary Clinton që del në treg këto ditë, si dhe një seri tjetër autorësh të veprave biografike ku përfshihen Madeleine Albright dhe Rudolph Guliani. Po kjo shtëpi botuese ka marrë ekskluzivitetin e botimit të 5 librave për fëmijë të shkruar nga këngëtarja e njohur Madona dhe të drejtën e botimit të 15 librave të autorit të njohur amerikan John Grishman.
Ndërkohë ka mbërritur në gjuhën shqipe në këtë panair nga shtëpia botuese “Skanderbeg” edhe libri turpi i autorit Coetzee, fitues i çmimit Nobel këtë vit në letërsi.
Nuk mungojnë edhe botimet e autorëve shqiptarë, ku sot janë bërë prezantimet e dy botimeve të reja. Shtëpia botuese “Toena” ka nxjerrë në treg librin e ri të profesor Rexhep Meidanit, “Politika Morale dhe Shteti” në zhanrin e publicistikës, i cili është promovuar në praninë e shumë intelektualëve të njohur, si edhe shtëpia botuese “Iderat” ka sjellë për publikun librin “Gjarpri i shtëpisë” nga Arjan Leka./tvklan.al