Duke qenë se epoka digjitale po përjeton një hov të jashtëzakonshëm sot, më shumë se kurrë mbrojtja e pronësisë intelektuale dhe e të gjitha të drejtave të lidhura me të, është një sfidë e vështirë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet më të zhvilluara europiane e më gjerë.

Pikërisht për ndërgjegjësimin ndaj sfidës së mbrojtjes së Copyrightit, Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale me qendër në Gjenevë në bashkëpunim me Zyrën shqiptare për të drejtën e autorit dhe ministrinë e Kulturës, po organizojnë në Tiranë, një seminar, ku marrin pjesë specialistë të njohur europianë.

Carole Croella: “Shqipëria është në një moment të rëndësishëm politik, pasi kërkon të aderojë në Bashkimin Europian. Dhe mbrojtja e të drejtës së autorit është një sfidë e rëndësishme në Komunitetin Europian. E rëndësishme është të ndërtoni një sistem kombëtar të rreptë për mbrojtjen e kësaj të drejte. Teknologjia digjitale sot bën të mundur mbi të gjitha kopjimin, ndryshimin e krijimeve të  autorëve dhe më së shumti sot po goditen industria e filmit dhe ajo muzikore.”

Merita Cenaj: “Një vepër e cila e tillë gjendet pavarësisht nga forma në të cilën ne mund ta sigurojmë kontentin e veprës, përmbajtjen e veprës. Qoftë nëpërmjet internetit, qoftë në një mbajtës fizik të themi një CD apo një faqe e printuar, apo një pjesë libri e printuar. Në këtë moment nëse përdoret për qëllim tregtar në këtë rast ne kemi përdorim të veprës e cila kërkon patjetër autorizimin e autorit  dhe shpërblimin e vetë autorit, deri tani janë paraqitur 183 ankesa. Masat e gjobës janë në 10 mijë deri në 500 mijë lek.”

Tashmë, kërkesë e kohës është menaxhimi sa me efikas i të drejtave në mjedisin digjital, zbatimi po ashtu i të drejtave të pronësisë intelektuale mbi internetin ku një rol parësor luajnë legjislacioni dhe teknologjia e përpunimit të të dhënave./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani