Prokuroria kërkon arrest me burg për vëllezërit Rrushi
Zbardhen detaje të reja për vrasjen e biznesmenit 43-vjeçar Ruzhdi Hoxha, i cili u gjet i ekzektutuar me 2 plumba dhe i mbuluar me zhavorr në malet e Qafë Mollës të Dajtit, të shtunën, rreth dy javë pasi ishte denoncuar i zhdukur nga djali i tij.
Roli i Pajtim Rrushit: Gazetarja Glidona Daci, duke iu referuar burimeve thotë se Pajtim Rrushi, vëllait i Fredi Rrushit, autorit të dyshuar të vrasjes së biznesmenit, rezulton se është personi që ka fshehur makinën e të vëllait që mund të shërbente si provë. Megjithatë para oficerëve të policisë, 42-vjeçari ka mohuar të ketë pasur dijeni për vrasjen. Po ashtu, ai ka mohuar që të kishte lidhje me zhdukjen e makinës. Por i vënë përballë pamjeve filmike, Pajtim Rrushi mësohet se nuk ka pranuar më të flasë.
Rrëmbimi dhe vrasja e Ruzhdi Hoxhës: Nga hetimet e deritanishme rezulton se pasditen e 20 Tetorit, Fredi Rrushi e telefonoi mikun e tij Ruzhdi Hoxha 4 herë, por ky i fundit nuk iu përgjigj. Në këto kushte Fredi Rrushi telefonoi një prej personave që ndodhej në tavolinë me Hoxhën dhe kontaktoi me të. Në orën 23:00 dyshohet se Rrushi e mori në makinë viktimën, në të cilën ishin edhe dy persona të tjerë, të cilët zbritën nga makina, ndërsa autori dhe viktima vazhduan rrugën drejt Dajtit, aty ku ai dhunoi, qëlloi dhe hodhi në greminë mikun e tij. Pas krimit të rëndë, autori i dyshuar zbriti nga Qafa e Mollës në orën 3:00 të mëngjesit dhe rrugës hodhi edhe telefonin e viktimës, pranë zonës së Shkollës së Bashkuar.
Celulari i viktimës dhe taksisti: Celulari i viktimës është gjetur nga një taksist, i cili ka vajtur dhe e ka shitur në një pikë të tregtimit e celularëve. Pronari i servisit të celulareve e ka ndezur dhe e ka përdorur për punën e tij. Mirëpo telefoni është ndjekur nga organi i akuzës, duke shkuar fillimisht tek vendi ku gjendej telefoni e më pas tek taksisti që e gjeti atë. Ky i fundit ka treguar se telefonin e kishte gjetur në rrugë dhe e kishte shituar për 10 mijë lekë. Sipas burimeve, gjithçka përkon me pamjet filmike dhe qelizat e celularëve të autorit dhe viktimës.
Vëllezërit Rrushi dalin të martën para gjykatës: Dosja për vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha pritet të mbërrijë këtë të hënë në dyert e Gjykatës. Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg për Fredi Rrushin dhe për vëllain e tij, Pajtim Rrushi, i arrestuar të dielën për ngjarjen e rëndë. Vëllezërit Rrushi do të dalin para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë ditën e martë./tvklan.al