Pas kthimit nga Letonia, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka vizituar familjen e Nëntetares së rënë në krye të detyrës Zarife Hasanaj. Në një njoftim të shkurtër për mediat nga zyra për shtyp e Ministrisë thuhet se gjatë vizitës së saj, Xhaçka i shprehu ngushëllimet familjes së 32-vjeçares.

“Dhimbja juaj është edhe e jona. Jeni pjesë e familjes së madhe ushtarake. Do të keni mbështetjen tonë për çdo nevojë. Ndarja nga jeta e Zarifes është humbje e madhe për të gjithë ne”

, u shpreh ndër të tjera Ministrja. Ministria njoftoi gjithashtu shpalljen “Dëshmor i atdheut” të efektives.

Ndërkohë, trupi i saj i pajetë është nisur për në Shqipëri. Ajo u përcoll me një ceremoni lamtumire në bazën Camp Adazi në Letoni, ku morën pjesë efektivë nga 10 vende të botës, pjesë e misionit “Enhanced Forward Presence”.

Trupi i pajetë i Nëntetares parashikohet të mbërrijë sot në orën 12:45 në bazën ajrore të Rinasit, ku të pranishëm do të jenë Ministrja Xhaçka, shefi i shtabit, drejtues të Forcave, familjarë dhe efektivë të FA.

Zarife Hasanaj humbi jetën të hënën në bazën Camp Adazi të Letonisë, nga shpërthimi i disa municioneve. Nga ngjarja u plagos rëndë edhe Major Klodian Tanushi, si dhe Rreshteri Julian Kapaj, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

/tvklan.al