Së fundmi janë shpallur kandidaturat për ndarjen e Çmimeve Golden Globe.
Emrat u bënë publike në Kaliforni nga Shoqata e Shtypit të Huaj të Hollywood-it dhe çmimet japin çdo vit një ide mbi filmat që mund të jetë pretendentë për Oscar.
Këtë vit thrilleri muzikor “Emilia Perez” dhe projekti tjetër muzikor “The Brutalist” kryesuan listën e filmave të nominuar për Golden Globe 2025.
“Është një vit interesant sepse nuk ka ende një film që mund të jetë pretendent për Oscar prandaj për mua mund të jetë cdo projekt i këtij viti. Ajo që mund të them është se filmi Emilia Perez ishte një sukses i jashtëzakonshëm me 10 nominime. Është një arritje e Netflix. Netflix ka qenë dominues si në televizion ashtu edhe në film prandaj kjo është një dëshmi se sa e fuqishme është si platformë”, thotë Michael Schneider, redaktor i revistës Variety.
Të dy filmat, EMILIA Perez dhe The brutalist do të konkurrojnë për çmimin më të lartë të Globes përballë filmave të tjerë si “A Complete Unknoën”, filmin epik të luftës “Dune: Part Two”, dramën historike “Nickel Boys” dhe “5 Shtator”, historia e gazetarëve sportivë që mbuluan Lojërat Olimpike dhe raportuan mbi situatën e pengjeve që përfshinte atletët izraelitë.
Për ekspertin Michael Schneider ky vit ka patur surpriza sa i përket nominimeve.
“Ka një kategori që ne e quajmë e kokoshkave dhe i referohet filmave që ne tashmë kemi parë. Filma si Wicked dhe Inside Out 2. Por pastaj ka edhe filma të nënvlerësuar që nuk futen në këtë kategori si ajo e ‘Dune: Part Two” që megjithatë ishte një film i madh. Është argëtuese të debatosh për këto gjëra dhe i bën njerëzit të ndihen të rëndësishëm. Ndoshta njerëzit nuk i kanë parë këta filma të rinj, por vetëm ata që janë pjesë e kategorisë së kokoshkave siç i quajmë ne”.
Filmi Wicked ku luan edhe këngëtarja e njohur Ariana Grande është nominuar 4 herë por sërish sipas tij ka një risi.
“Gjithmonë do të ketë filma që do të jenë zhgënjyes. E dini çfarë është interesante sepse mendova se ‘Wicked’ ia doli shumë mirë, por megjithatë regjisori, Jon M. Chu, nuk u nominua”.
Mes filmave të nominuar është edhe “The Apprentice” ku aktori Sebastian Stan luan personazhin e Donald Trump, së bashku me Jeremy Strong, i cili është në rolin e avokatit të Trump, Roy Cohn.
Trump e ka quajtur filmin një punë të neveritshme.
“Presidenti ynë ka tendencën të kënaqet duke shkruar në mediat sociale për të hedhur poshtë gjithçka që ndodh në Hollywood. Unë jam i sigurt se ai do të shikojë ceremoninë e Golden Globe dhe më pas mezi do presë ta postojë në Twitter”.
Fituesit e çmimeve Golden Globes do të zgjidhen nga 334 persona nga 85 vende, krahasuar me rreth 9,000 që zgjedhin çmimet e Oscar.
Numri i pjesëmarrësve në jurinë e Golden Globe është rritur vitet e fundit dhe organizatorët vendosën të bënin disa ndryshime pas kritikave për mungesë diversiteti.
Ceremonia e 82-të e Golden Globes, si ceremonitë e mëparshme, pritet të mbahet në hotelin Beverly Hilton në Los Angeles.
Organziatorët kanë caktuar si prezantuese aktoren amerikane Nikki Glaser .
“Disa nga shakatë e mia të preferuara të të gjitha kohërave kanë ardhur nga monologjet e kaluara të Golden Globes kur Tina, Amy ose Ricky kanë thënë pikërisht atë që ne të gjithë nuk e dinim se kishim nevojë dëshpërimisht të dëgjonim. Unë thjesht shpresoj të vazhdoj traditën e nderuar të asaj kohe”, u shpreh ajo në një deklaratë.
Ndryshe nga disa ceremoni të tjera çmimesh, Golden Globes përveç filmit kanë edhe kategori televizive.
Këtë vit, kjo mund të nënkuptojë nominime për drama dhe seri të kufizuara si Baby Reindeer, Shogun, The Penguin, Ripley, Sloë Horses dhe Mr & Mrs Smith.
Ndër komeditë përfshihet Nobody Wants This, Hacks, The Bear, Only Murders in the Building dhe Abbott Elementary.
Por sa të rëndësishme janë?
Golden Globes kanë qenë të diskutueshme vitet e fundit, por ato janë gjithashtu një nga ceremonitë më argëtuese.
Të freskët nga festat e Krishtlindjeve, të famshmit janë zakonisht në humor të mirë, gati për të konsumuar disa pije dhe mund të argëtohen edhe me fjalimet e pjesëmarrësve.
Por organi që dikur qëndronte pas Golden Globes, Shoqata e Shtypit të Huaj të Hollivudit, u kritikua në vitin 2021 për korrupsion dhe mungesë diversiteti në organin e tij votues.
Fituesit e Golden Globe jo domosdoshmërisht përputhen gjithmonë me çmimet Oscar, por ato mund të jenë një tregues i mirë i mbështetjes për një film.
Klan News