“Ambasadorë të paqes dhe të sigurisë”, kështu janë cilësuar trupat komando shqiptare që kanë marrë pjesë në misionet paqeruajtëse si në Irak, Afganistan, Bosnje apo Çad. Me rastin e përfundimit me sukses të njërit prej këtyre misioneve, atij “Liria e Irakut”.
Ministria e Mbrojtjes organizoi një ceremoni me prezencën e Kryeministrit Sali Berisha, Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, Ambasadorit Amerikan John Withers, përfaqësuesve të trupit diplomatik, ish-ministrave të mbrojtjes Pandeli Majko dhe Fatmir Mediu, familjarëve të ushtarëve e të ftuar.
Sali Berisha: “Dua të falënderoj këtu para jush dhe të gjithë shqiptarëve nënat, baballarët, bashkëshortet, fëmijë të gjithë njerëzit tuaj të cilët ju kanë përcjellë ju natyrisht me burrëri dhe kurajo, por dhe me ndrojtje të pashmangshëm për fatin tuaj në Irak. Shteti i atyre ndaj jush ka qenë një faktor madhor në përmbushjen nga ju të të gjitha detyrave me sukses të plotë”.
Në fjalën e tij përshëndetëse Ambasadori Amerikan John Withers falënderoi në emër të qeverisë dhe popullit amerikan për mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit.
John Withers: “Ju sjell falënderimet e qeverisë amerikane si dhe ju përcjell mbështetjen e kombit amerikan për ndihmën e dhënë në vendosjen e paqes dhe lirisë në Irak. Sot shoh ditën e afërt kur ju do të qëndroni përkrah nesh si anëtarë me të drejta të plota në NATO.”
Trupat komando u vlerësuan me dekorata nga Ministri i Mbrojtjes për kontributin e dhënë gjatë misionit në Irak ku kanë shërbyer nga viti 2003. Trupat shqiptare u kthyen në atdhe në datën 20 dhjetor duke shënuar kështu përfundimin me sukses të misionit më të madh paqeruajtës ku trupat shqiptare kanë marrë pjesë./tvklan.al
Operator : Enver Shehu
Montazh: Ergis Hasanbelli