Certifikatat do të vazhdojnë të jetë pjesë e dokumentacionit për individët që duan të përfitojnë nga skemat e ndihmës sociale, apo edhe pensionin e pleqërisë, të paktën edhe për disa kohë. 

Edhe pse Vendimi i Këshillit të Ministrave ka qartësuar se që prej 1 janarit karta e identitetit do të jetë dokumenti bazë për identifikimin e shtetasve shqiptarë, certifikata duket se nuk del jashtë loje. Shumë institucione e argumentojnë  kërkesën e saj si domosdoshmëri për shumë elemente që karta e identitetit nuk  i ka.

Mirela Selita: “Certifikata familjare kërkohet nga ISSH kur është fjala që pensionisti kërkon pension familjar, dhe kjo certifikatë provon personat që janë në ngarkim të personit dhe për të cilin do të përcaktohet pensioni familjar. Momenti i dytë është, ku pensionisti kërkon kompensime për personat në ngarkim dhe sërish personat në ngarkim përcaktohet nga certifikata familjare. Dhe momenti i tretë është kur pensionisti nuk e tërheq vetë pensionin, por ka autorizuar një person tjetër dhe ky person që tërheq pensionin në zyrat postare për të provuar gjallesën e pensionistit për të cilin do të marri pensionin, e provon këtë gjallesë përmes certifikatës familjare.”

Leonard Strazizimiri: “Certifikata personale dhe familjare e marrë nga gjendja civile është një dokument i cili kërkohet nga vendimi i qeverisë i cili është fuqi akoma. Certifikata personale ka të dhëna më të detajuara për persona të cilët kërkojnë të trajtohen me ndihmë ekonomike.”

Të detyruar për të plotësuar dokumentacionin përkatës, shtetasit shqiptar duhet të kenë kartën e ID, fillimisht dhe më pas edhe certifikatën për të plotësuar të dhënat e nevojshme rreth tyre./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami