I gjithë informacioni që ministria e brendshme i ka vënë në dispozicion, KQZ-së, partive politike dhe misioneve të huaja të akredituara në Tiranë, lidhur me listat për aplikimet për letërnjoftimet elektronike është më se i verifikueshëm, pasi ai publikohet paralelisht dhe në faqen online të këtij dikasteri.

Ky ka qenë reagimi i ministrit të brendshëm Bujar Nishani, një ditë pas deklaratës së PS se do të padisë në prokurori, ministrinë e Brendshme për manipulim të të dhënave.

Bujar Nishani: “Në këto informacione që ne kemi dërguar dhe të dërgosh një informacion do të thotë që nuk ke tendencë të fshehësh diçka. Nëse PS ka pretendime për gabime apo mos rakordime, natyrisht që neve do t’i verefikojmë dhe do ti shikojmë të gjitha këto pretendime dhe jemi natyrisht në procesin e verifikimit të të gjitha pretendimeve që PS apo çdo institucion tjetër që ne i kemi dërguar këto lista apo këto CD do të konstatojë gjatë procesit të verifikimit të tyre. Ne kemi vënë re gjithmonë një tentativë të përfaqësuesve të PS jko vetëm për të mos e mbështetur procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimet elektronike, por … për ta dekurajuar këtë proces.”

Pyetjes se cila është garancia që ministria e brendshme i jep shtetasve shqiptare për pajisjen në kohë me dokumentet e reja , ministri Nishani deklaron se janë të gjitha premisat që ky proces të mbarojë para ditës së zgjedhjeve.

Bujar Nishani: “Sot neve në terren kemi rreth 500 stacione aplikimi. Kapaciteti i të cilës varion 25 mijë deri në 30 mijë aplikime në ditë. Falë këtyre kapaciteteve që për hir të vërtetës nuk po shfrytëzohen plotësisht, megjithëse kompania ka vënë maksimumin e këtyre kapaciteteve. Ne deri më sot kemi rreth 1 milion e 190 mijë qytetarë shqiptar që kanë aplikuar për letërnjoftimet elektronike dhe problemi tjetër i cili neve jemi fokusuar tani e mbrapa, ai i shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike pasi ka pasur mjaft letërnjoftime të prodhuara, por që ende nuk janë marrë nga qytetarët shqiptar. Vetëm dje janë shpërndarë rreth 23 mijë letërnjoftime në shkallë vendi.”

Lidhur me prodhimin dhe tërheqjen nga ana e shtetasve shqiptare me pasaportat e  reja biometrike, ministri Nishani deklaroi se është një proces po aq i mbarë, por zhurma e madhe mbi letërnjoftimet elektronike e ka neglizhuar rëndësinë e tij.

Bujar Nishani: “Kam shumë shtetas të cilët janë paraqitur dhe ka filluar aplikimi për pasaportat biometrike. Mjaft prej këtyre shtetasve kanë filluar ti vënë në përdorim pasaportat biometrike duke i paraqitur pranë ambasadave të huaja për marrjen e vizave apo dhe për të udhëtuar jashtë vendit sepse tashmë pasaporta e re biometrike është e integruar në sistemin e kontrollit të të gjitha vendeve. Por që besoj që pas zgjedhjeve do të jetë një proces i cili do të ketë një dinamikë shumë shumë të madhe.”

Pasaporta shqiptare është tashmë e hedhur në sistem dhe njihet nga të gjithë shtetet si pasaportë me standarde të larta./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani